Konviktet e studentëve nuk janë magazina për të zgjidhur nevojat e kompanive private. Ato janë ndërtuar për të strehuar të rinjtë që vijnë në Tiranë për të studiuar, shpesh me vështirësi ekonomike dhe larg familjeve. Prandaj, lajmi se rreth 200 punëtorë indianë të Wolt ishin akomoduar në këto ambiente nuk është thjesht çështje administrative. Është një sinjal se si institucionet po i trajtojnë hapësirat publike dhe nevojat e studentëve.
Pas reagimeve publike, Bashkia e Tiranës prishi marrëveshjen për strehimin e punonjësve të huaj. Por mbetet një pyetje që nuk mund të mbyllet me një njoftim: si u arrit deri këtu dhe kush vlerësoi nëse ky përdorim përputhej me qëllimin e konvikteve? Studentët kanë nevojë për vende të përballueshme dhe kushte dinjitoze, jo të zbulojnë se hapësirat e ndërtuara për ta mund të përdoren për qëllime të tjera pa transparencë.
Në anën tjetër, Shqipëria po përballet me zbrazjen e fuqisë së saj punëtore. Të rinjtë largohen sepse nuk gjejnë paga, siguri ekonomike dhe perspektivë për të ndërtuar jetën këtu. Ndërkohë, bizneset kërkojnë punonjës nga jashtë për të mbuluar vendet që mbeten bosh. Kjo nuk është arsye për të fajësuar punëtorët e huaj, të cilët vijnë për të siguruar jetesën, njësoj si shqiptarët që emigrojnë. Përgjegjësia është te politikat që nuk krijojnë kushte që qytetarët të mos detyrohen të largohen.
Edhe protestat e kurierëve të Wolt për uljen e tarifave tregojnë se problemi nuk lidhet me kombësinë e atyre që kryejnë dërgesat, por me mënyrën si trajtohet puna: sa paguhet një porosi, çfarë të ardhurash mbeten në fund të ditës dhe çfarë mbrojtjeje kanë punonjësit. Nëse kushtet përkeqësohen, vendasit dhe të huajt përballen me të njëjtën pasiguri.
Rasti i konvikteve duhet të jetë alarm për institucionet. Tirana nuk mund të flasë për mbështetje të studentëve, ndërsa hapësirat e tyre kthehen në zgjidhje për nevojat e tregut. Po kështu, rritja e punësimit të të huajve nuk mund të paraqitet si sukses pa dhënë llogari për arsyet që po i shtyjnë shqiptarët të kërkojnë të ardhmen jashtë vendit.