Një elektricist 34-vjeçar ka humbur jetën në fshatin Bardhaj të Shkodrës, pasi dyshohet se është goditur nga rryma elektrike teksa po riparonte një defekt në një shtyllë elektrike.
Sipas informacionit paraprak të policisë, viktima me inicialet A. N. u dërgua rreth orës 20:36 në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, por mbërriti pa shenja jete.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 34-vjeçari, i cili punonte si elektricist i zonës, ishte thirrur jashtë orarit të punës nga disa familje në fshatin Bardhaj, të cilat kishin mbetur pa energji elektrike.
Sipas policisë, ai kishte shkuar për të riparuar defektin në një shtyllë elektrike pa njoftuar dispeçerinë e OSHEE-së.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin.

