Tabaku në mbledhjen e grupit të EPP-së: Protestat dhe situata në Shqipëri, në vëmendjen e partnerëve europianë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, paraqiti në mbledhjen e grupit të Partisë Popullore Europiane (EPP) situatën politike në Shqipëri, duke ngritur shqetësimet për dhunën e policisë ndaj protestuesve.
Prezantimi u bë një ditë përpara mbledhjes së Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian (AFET), ku do të diskutohet për Shqipërinë. Tabaku e lidhi situatën në vend me pasojat për ekonominë, shtetin ligjor dhe procesin e integrimit europian.
“Një sistem që godet ekonominë dhe shtetin ligjor, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë integrimin europian dhe rrezikojnë të ardhmen e vendit”, u shpreh ajo.
Duke folur për protestat, deputetja ngriti shqetësimin për dhunën policore ndaj qytetarëve. Ajo denoncoi gjithashtu ligjin kundër tubimeve, të cilin e cilësoi antikushtetues, duke bërë të ditur se PD-ja, shoqëria civile dhe studentët e kanë çuar atë në Gjykatën Kushtetuese.




