Dy motrat aktiviste, Elsa dhe Fatma Paja, të cilat janë pjesë e protestës që prej ditës së parë, deklarojnë se nuk do të largohen nga sheshi pa dhënë dorëheqjen kryeministri Edi Rama.
Në një prononcim për protestën, Elsa Paja e cilësoi atë përtej një tubimi të zakonshëm, duke e përshkruar si një lëvizje shoqërore me karakter revolucionar, që sipas saj synon ndryshimin e shoqërisë përpara ndryshimit të qeverisë.
Ajo kujtoi etapat e ndryshme të kësaj lëvizjeje, nga protestat paqësore deri te revolta e ditëve të fundit, ndërsa theksoi se qytetarët duhet të vijojnë të jenë të pranishëm çdo ditë në shesh.
Nga ana tjetër, Fatma Paja e cilësoi protestën si një zgjim të vetëdijes qytetare, për të cilin Shqipëria kishte nevojë prej vitesh. Ajo hodhi poshtë ftesën e kryeministrit për dialog, duke e interpretuar atë si një përpjekje për të zbehur protestën dhe për të frenuar mobilizimin qytetar.
Sipas saj, nëse qeveria do të kishte qenë e interesuar për dialog, mund ta kishte kërkuar atë përpara përshkallëzimit të situatës dhe përballë problematikave të tjera që shqetësojnë qytetarët.
Elsa Paja, nga ana e saj, përjashtoi mundësinë e dialogut në kushtet e përplasjeve të javëve të fundit mes protestuesve dhe policisë. Ajo përmendi protestuesit e plagosur, përdorimin e gazit lotsjellës dhe dhunën e pretenduar gjatë ndërhyrjeve policore, duke argumentuar se largimi nga sheshi do të nënkuptonte heqjen dorë nga kërkesat e tyre.
Të dyja motrat u shprehën se janë të vendosura të vijojnë qëndrimin në protestë dhe u bënë thirrje qytetarëve t’u bashkohen, deri në realizimin e kërkesës për largimin e qeverisë Rama.













