Mërtiri: Protesta ka rënie në numra, por revolta qytetare nuk është zbutur

Politikë | 17 minuta më parë

Analisti Ergys Mërtiri vlerëson se megjithëse protestat e muajve të fundit kanë shënuar një rënie të pjesëmarrjes, pakënaqësia qytetare mbetet e lartë dhe mund të shpërthejë sërish në çdo moment.

I ftuar në emisionin “3D”, ai argumentoi se protesta duhet parë si shprehje e një revolte të thellë shoqërore dhe jo thjesht si një lëvizje e përkohshme politike.

Sipas Mërtirit, ajo që po shfaqet në rrugë është pasojë e një pakënaqësie të grumbulluar ndër vite ndaj sistemit politik në tërësi. Ai tha se revolta nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë, por është rezultat i zhgënjimit të qytetarëve me klasën politike të 35 viteve të fundit.

“Protesta para së gjithash është një revoltë dhe revolta është një karakteristikë emocionale e një shoqërie që është në gjendje pakënaqësie të thellë.”

Analisti u shpreh se në këtë pakënaqësi përfshihen si qeveria ashtu edhe opozita, duke shtuar se qytetarët ndjejnë lodhje dhe mosbesim ndaj figurave kryesore të politikës shqiptare.

Megjithatë, sipas tij, barra më e madhe e përgjegjësisë bie mbi qeverinë, si forca që ushtron pushtetin.

““Është pakënaqësi jo vetëm ndaj qeverisë, por ndaj gjithë sistemit politik të 35 viteve, ndaj gjithë klasës politike ekzistuese .Këtu përfshihet edhe opozita. Është një lloj pakënaqësie e thellë ndaj dy çështjeve kryesore, ndaj Ramës dhe Berishës.”

Mërtiri argumentoi se gjendja aktuale ka krijuar një indinjatë të thellë te qytetarët, e cila nuk mund të matet vetëm përmes numrit të protestuesve në shesh. Ai theksoi se protesta është një fenomen emocional që kalon nëpër cikle ngritjesh dhe uljesh, pa nënkuptuar domosdoshmërisht shuarjen e revoltës.

“Pjesën më të madhe të revoltës e mban qeveria, e cila është në pushtet dhe e cila praktikisht sot po e bën vendin të pajetueshëm, duke prodhuar indinjatën e thellë të popullsisë. Protesta ka ulje-ngritjet e veta, sepse si çdo gjendje emocionale nuk mund të mbahet me të njëjtin intensitet. Është si një tenxhere me presion që në një moment shpërthen. Shpërthimi ishte në qershor, kur bulevardi u mbush në një mënyrë që unë nuk mbaj mend ta kem parë ndonjëherë. Si çdo shpërthim, edhe ai ishte momental dhe më pas vjen një fazë stabilizimi. Njerëzit kanë punë, kanë angazhime dhe jo të gjithë kanë të njëjtin përkushtim apo të njëjtën predispozitë për të dalë në protestë. Por fakti që kjo protestë zgjati me muaj, gjatë gjithë verës deri në shtator, tregoi se revolta kishte rrënjë të forta.”, u shpreh Mërtiri.

Mërtiri tha se një fenomen i tillë u vu re edhe në muajin tetor, kur protestat u rikthyen me intensitet më të lartë.

“Sado që mund të bien numrat në shesh, revolta nuk shuhet. Ndjenja e revoltës vazhdon të ekzistojë dhe në momentin e parë që krijohet një shkak i ri, ajo rizbrazet në rrugë. Në tetor ajo u rikthye madje me më shumë agresivitet, sepse ishte akumuluar mllefi i disa muajve”, u shpreh Mërtiri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme