Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, theksoi se partia ku ai bën pjesë, për herë të parë ka dalë shumë qartë për një listë 100% të hapur.
“Për herë të parë, Partia Demokratike me opozitën ka dalë shumë e qartë me propozime për sistemin zgjedhor: listë 100% e hapur. Jo listë e hapur, por me 10% të mbyllur që të ruajmë ata që nuk duhet të futen në garë. Do të jetë për turpin e Partisë Demokratike që të pranohet një listë me përqindje sado të vogël të mbyllur, për të ruajtur 10-15 deputetë që, për mendimin tim, i tremben elektoratit dhe votës së qytetarëve”, tha Baçi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Çdo deputet duhet të artikulojë qartë që është për listë të hapur 100%. Pastaj, se është proporcional kombëtar apo proporcional rajonal, ajo ha diskutim dhe nuk besoj se ka ndonjë problem të madh”, shtoi deputeti demokrat.
Sipas Baçit, “përveç Partisë Demokratike, meritë kanë studentët që kanë dalë dhe kanë artikuluar qartazi disa kërkesa, që janë kërkesa të PD-së ndër vite”.
“Kërkesa e listës së hapur 100% nuk ka qenë e PD-së, por është rezultat i presionit të qytetarëve, por shumë kolegë të PD-së e kanë pasur këtë mendim. PS-ja dhe ky kryeministër që akuzohet nga qytetarët për korrupsion galopant, duhet të reflektojë për të plotësuar kërkesat. Dhe një nga kërkesat është ndryshimi i sistemit zgjedhor. Të dalë kryeministri dhe të thotë që është për listë 100% të hapur”, u shpreh Baçi më tej.









