Prokuroria e Posaçme kërkoi të hënën më 9 shtator dënimin me 158 vjet burg për shtatë të pandehurit e akuzuar për autorësinë e dy atentateve të ndodhura në muajin shkurt të vitit 2005, ku në atë në Tiranë mbetën të vrarë Vajdin Lamaj dhe miku i tij Artan Arsi, ndërsa në aksin Durrës-Maminas humbi jetën Klodjan Saliu, si dhe u plagos Osman Truma.
Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 25 vjet burg të Viktor Bajraktari Imerajt, Emiljano Shullazit dhe Indrit Taullait për vrasjen e Lamajt dhe Arsit. Për të pandehurin tjetër për këtë ngjarje, Luftar Reçi, u kërkua dënimi me 8 vjet heqje lirie. Edhe për të pandehurit e tjerë, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj dhe Indrit Rusi, të akuzuar për vrasjen e Klodjan Saliut, u kërkua dënimi me nga 25 vjet burgim.
Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Mbajtje pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Lulzim Berisha u arrestua për llogari të drejtësisë shqiptare në dhjetor të vitit 2023 në Alicante të Spanjës, ndërsa Plaurent Dervishaj u deportua në Shqipëri nga Emiratet e Bashkuara Arabe në gusht të 2024-ës. Dervishaj u gjykua dhe u dënua gjashtë muaj më parë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së PArë me burgim të përjetshëm, pasi u gjet fajtor për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, ku mbeti i vrarë i ndjeri Andi Maloku, si dhe për organizimin e pritave të tjera për t’i ekzekutuar ata.





