Një burrë ka hyrë me ekskavator në një kompleks zyrash qeveritare në Kinë dhe për afro një orë ka shkatërruar hyrjet dhe fasadat e disa ndërtesave, duke shkaktuar panik dhe evakuimin e personave që ndodheshin brenda.
Ngjarja është regjistruar në Qendrën e Zyrave Qeveritare të Distriktit Fengdong, në provincën Shaanxi. Sipas raportimit të “Al Jazeera”, burri përdori mjetin e rëndë për të goditur dyert prej xhami, hyrjet, fasadat dhe pjesë të tjera të kompleksit.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë ekskavatorin duke lëvizur në ambientet e institucionit dhe duke përplasur ndërtesat, ndërsa njerëzit e pranishëm qëndrojnë në distancë.
Dëme të konsiderueshme u shkaktuan në disa objekte. Në hyrjen e Ndërtesës 1 u shkatërruan shkallët, tabela kryesore dhe dyert prej xhami, ndërsa u raportuan dëmtime edhe në pjesën e pasme të saj dhe në ndërtesa të tjera. Në total, të paktën gjashtë pjesë të kompleksit u prekën nga incidenti.
Punonjësit dhe qytetarët u evakuuan me urgjencë. Një punonjës i qendrës tha për mediat kineze se njerëzit u frikësuan dhe askush nuk guxoi të ndërhynte për ta ndaluar burrin.
“Ishim shumë të frikësuar. Askush nuk guxoi ta ndalonte”, deklaroi ai.
Burri vijoi të shkaktonte dëme deri në momentin kur ndaloi ekskavatorin. Më pas, në vendngjarje mbërritën forcat speciale të policisë, të cilat arritën ta neutralizonin. Sipas një tjetër punonjësi, në operacion morën pjesë rreth 20 efektivë.
Sa i përket motivit, “Al Jazeera” raporton se një nga pistat e mundshme lidhet me një mosmarrëveshje për kompensimet financiare që dyshohet se u detyroheshin banorëve të fshatrave përreth. Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet kineze dhe rrethanat e ngjarjes mbeten nën hetim.
Pas incidentit, policia rrethoi zonën dhe nisi mbledhjen e provave për të dokumentuar dëmet. Funksionimi i qendrës qeveritare u pezullua përkohësisht, ndërsa disa shërbime nisën të riktheheshin gradualisht gjatë pasdites.
Deri në raportimet e fundit, nuk kishte informacion zyrtar për persona të lënduar.
A man has driven an excavator into a Chinese government affairs centre in Shaanxi, demolishing entrances and damaging several buildings amid an alleged dispute over unpaid villagers’ compensation. https://t.co/Oc3mDSxATt
— Al Jazeera English (@AJEnglish) November 9, 2026

