Presidenti amerikan Donald Trump ka vënë sërish në pikëpyetje besueshmërinë e procesit zgjedhor në SHBA, më pak se një javë pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, ku ata humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.
Në një reagim të publikuar të hënën në platformën e tij Truth Social, Trump ngriti dyshime për rezultatet e votimit të parakohshëm, saktësinë e sondazheve dhe përdorimin e makinave elektronike të votimit.
“A beson vërtet dikush se këto ‘zgjedhje’ ishin të drejta? Si është e mundur që sondazhet të ishin kaq të gabuara? Disa rezultate të votimit të hershëm ishin aq të mëdha sa ishte e pamundur të fitohej, pavarësisht se sa njerëz dolën në votime. E gjitha varet nga makinat, të cilat janë shumë më të rëndësishme se votuesi!”, shkroi presidenti amerikan.
Me këtë deklaratë, Trump riktheu pretendimet e tij të mëparshme për ndikimin e mundshëm të makinave elektronike në rezultatet zgjedhore. Ai dhe disa republikanë kanë akuzuar gjithashtu demokratët se kërkojnë mënyra për të ndikuar në procesin zgjedhor, përfshirë përmes votimit nga persona që nuk janë shtetas amerikanë.
Reagimi vjen pas një periudhe në të cilën Trump ishte shprehur se do t’i pranonte rezultatet dhe kishte lënë të kuptohej se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me demokratët. Pas humbjes, ai kishte pranuar se kundërshtarët politikë kishin zhvilluar një fushatë të mirë, por tani po ngre sërish pikëpyetje për rregullsinë e procesit.
Qëndrimi i tij kujton pretendimet e bëra pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, kur Trump humbi përballë Joe Biden. Akuzat për manipulim të atij procesi nuk u mbështetën nga prova që të ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve.
Ndërkohë, një këshilltar i Trump i tha CNN se fitorja e demokratëve ishte aq e thellë, saqë ishte “shumë e madhe për të qenë produkt i mashtrimit”.
Edhe gazeta britanike “The Guardian” kujton se ekspertët e të drejtave të votës kishin paralajmëruar se Trump dhe aleatët e tij republikanë mund të kundërshtonin rezultatet e zgjedhjeve të mesit të mandatit. Sipas medias, kjo ndodhi brenda më pak se një jave nga përfundimi i votimit.

