Tensione në protestën para Kryeministrisë, qytetarët kundërshtojnë gjobat e Policisë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.11.2026, 20:41

Prej javësh, qytetarë, të rinj dhe studentë vijojnë protestën para Kryeministrisë, në një lëvizje që tashmë e ka shtrirë kundërshtimin përtej qeverisë aktuale, duke kërkuar llogaridhënie dhe largimin e një klase politike që prej 36 vitesh mban vendin nën të njëjtin sistem pushteti.

Por krahas kërkesave për ndryshim, mbrëmjen e kësaj të hëne në qendër të vëmendjes kanë qenë edhe masat administrative ndaj personave të pranishëm në zonën e protestës.

Rreth orës 19:45, efektivët e Policisë së Shtetit kanë nisur të kërkojnë dokumentet e identifikimit të disa qytetarëve, me qëllim vendosjen e gjobave. Veprimi është kundërshtuar nga personat e ndaluar dhe ka shkaktuar debate me uniformat blu.

Një prej qytetarëve ka treguar për mediat se është ndaluar teksa po ecte në trotuar, ndërsa efektivi i policisë i ka komunikuar se ishte identifikuar përmes fotografive të realizuara gjatë tubimit.

“Po kaloja në trotuar dhe një punonjës policie më kërkoi mjetin e identifikimit, duke më thënë se isha fotografuar në tubim. Polici po bënte gjobën, por unë nuk ia firmosa dhe i kërkova arsyen. Më tha se isha fotografuar në tubim. Unë i thashë se kisha qenë duke kaluar në trotuar me shokët. Më ndaloi dhe më tha se isha konstatuar në foto”, rrëfeu qytetari.

Pas debateve me personat e ndaluar, efektivët janë larguar nga zona.

Ndërsa qytetarët vijojnë të kërkojnë ndryshimin e një klase të tërë politike, mbetet për t'u sqaruar se mbi çfarë kriteresh po identifikohen personat që ndëshkohen me gjoba dhe nëse prania në zonën e protestës, pa marrë pjesë në tubim, mund të shërbejë si arsye për vendosjen e një mase administrative.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit