Protesta e radhës kundër qeverisë ka mbledhur këtë të hënë qytetarë, të rinj dhe studentë para Kryeministrisë në Tiranë, në vijim të tubimeve të zhvilluara gjatë ditëve të fundit.
Ndërsa protestat e mëparshme janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe Policisë së Shtetit, mbrëmjen e sotme në fokus kanë qenë edhe masat administrative ndaj personave të pranishëm në tubim.
Rreth orës 19:45, situata është tensionuar në momentin kur efektivët e policisë kanë nisur të vendosin gjoba për disa qytetarë. Punonjësit e policisë u kanë kërkuar atyre dokumentet e identifikimit për të kryer procedurat administrative, por janë kundërshtuar nga personat e ndaluar.
Një prej qytetarëve i tha Euronews se ishte ndaluar teksa po ecte në trotuar, ndërsa polici i kishte komunikuar se ishte identifikuar përmes fotografive të realizuara gjatë protestës.
“Po kaloja në trotuar dhe një punonjës policie më kërkoi mjetin e identifikimit, duke më thënë se isha fotografuar në tubim. Polici po bënte gjobën, por unë nuk ia firmosa dhe i kërkova arsyen. Më tha se isha fotografuar në tubim. Unë i thashë se kisha qenë duke kaluar në trotuar me shokët. Më ndaloi dhe më tha se isha konstatuar në foto”, rrëfeu ai.
Pas debatit me qytetarët, efektivët janë larguar nga zona.












