Franca ka akuzuar Gardën Revolucionare të Iranit për sulmet kibernetike që goditën qindra supermarkete në vend gjatë muajit tetor, duke nxjerrë jashtë funksionit sistemet e frigoriferëve dhe ngrirësve. Parisi ka thirrur ambasadorin iranian në Ministrinë e Jashtme dhe ka paralajmëruar masa të tjera ndëshkuese ndaj Teheranit.
Sulmi i regjistruar më 11 tetor ndërhyri në sistemet e kontrollit të temperaturës, duke bërë që frigoriferët dhe ngrirësit të nxehen deri në atë pikë sa sasi të mëdha ushqimesh të prisheshin. Në disa raste, pajisjet morën flakë, ndërsa punonjësit e supermarketeve u detyruan të hidhnin në mbeturina mishin dhe produktet e ngrira që nuk mund të konsumoheshin më.
Sipas autoriteteve franceze, pas sulmeve qëndron Garda Revolucionare e Iranit. Ministri i Jashtëm, Jean-Noël Barrot, deklaroi se Franca do të kërkojë edhe sanksione të reja në nivel të Bashkimit Europian ndaj përgjegjësve. Ndërkohë, hetimet po përpiqen të përcaktojnë mënyrën e saktë se si u realizuan ndërhyrjet.
Dëmet ekonomike nga sulmi i parë mund të arrijnë në dhjetëra miliona euro, sipas vlerësimeve të një pronari supermarketi në Francë.
Shqetësimi është shtuar edhe pas një vale të dytë sulmesh kibernetike në fillim të këtij muaji, që preku më shumë se 100 objekte në disa vende europiane. Mes tyre ishin edhe pajisje frigoriferike të përdorura nga bankat e gjakut në Francë. Punonjësit u detyruan të transferonin produktet e gjakut në pajisje të tjera frigoriferike për t'i mbrojtur.
Ndërkohë, autoritetet amerikane po hetojnë edhe një incident të ngjashëm në disa baza ushtarake në SHBA, ku frigoriferët në dyqanet për personelin ushtarak dolën jashtë funksionit gjatë muajit gusht. Irani është një nga të dyshuarit, por deri më tani nuk është vërtetuar nëse ky rast lidhet me sulmet në Europë.