Afrimi i dimrit dhe kalimi në orën dimërore i gjen sërish në errësirë disa rrugë të Durrësit. Në lagjet nr. 16, 17 dhe 18, mungesa e ndriçimit publik vijon të jetë problem për qytetarët, të cilët detyrohen të lëvizin në segmente rrugore ku dritat nuk funksionojnë ose ndriçimi është i pamjaftueshëm.
Situata është konstatuar nga Media Amfora gjatë verifikimeve në terren, ku rrugë dhe hapësira të përdorura nga këmbësorët mbeten në errësirë sapo bie mbrëmja.
Në lagjen nr. 18, pranë stadiumit “Niko Dovana”, e gjithë rruga është në errësirë, ndërsa dritat e ndërtesave dhe të mjeteve që kalojnë janë e vetmja mënyrë ndriçimi për këmbësorët.
Mungesa e ndriçimit publik prek segmente të caktuara rrugore edhe në lagjet nr. 16 dhe 17, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve gjatë orëve të mbrëmjes.
Probleme me ndriçimin evidenton edhe aktivisti Shyqyri Myrtollari në rrugën “Azem Hajdari”, në zonën e ish-Kënetës. Ai thotë se punimet për ndërtimin e saj kanë nisur prej vitit 2021, por rruga ende nuk ka përfunduar, ndërsa mungesa e ndriçimit shoqërohet me shqetësime për sigurinë e qarkullimit.
“Është bërë një pjesë e konsiderueshme e rrugës, por edhe këtu mungon ndriçimi dhe, duke qenë se kjo rrugë ka një qarkullim të konsiderueshëm të makinave, kemi edhe shumë raste aksidentesh”, tha ai për Median Amfora.
Problematika e ndriçimit publik ka ngjallur reagime edhe në rrjetet sociale. Më 7 nëntor, në grupin “Durrës My City” në Facebook u publikua një fotografi e realizuar në rrugën përpara Mauzoleumit të Dëshmorëve, ku vihet re se ndriçimi publik funksionon në njërën anë të rrugës, ndërsa trotuari në anën tjetër mbetet në errësirë, duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve gjatë mbrëmjes.
Për qytetarët që kthehen nga puna, nxënësit që përfundojnë aktivitetet pas mësimit dhe të moshuarit që lëvizin në këmbë, ndriçimi i rrugëve mbetet një nevojë e përditshme.
Problemet me rrjetin e ndriçimit publik në Durrës janë evidentuar edhe më parë. Në një përgjigje zyrtare të vitit 2025, Bashkia Durrës kishte pranuar vështirësi në mirëmbajtjen e ndriçimit, duke i lidhur ato me amortizimin e rrjetit dhe të pajisjeve në disa zona të qytetit.
Duke iu referuar të dhënave të publikuara më parë mbi fondet për ndriçimin publik, Myrtollari shpreh shqetësimin për uljen e investimeve në këtë shërbim.
“Nuk besoj që këtë vit të ketë pasur ndonjë përmirësim për sa u përket investimeve për çështjen e ndriçimit publik. Ajo çka mua më bëri përshtypje është ulja e vlerës së investimeve në ndriçimin publik të rrugëve dhe lagjeve”, shprehet aktivisti.
Mes zonave problematike, institucioni kishte përmendur edhe lagjen nr. 16 dhe rrugën “Mujo Ulqinaku”. Bashkia kishte sqaruar se në disa segmente ndriçimi ndërpritej për periudha të shkurtra, deri në kryerjen e riparimeve.
Përveç investimeve, Myrtollari ngre edhe çështjen e tarifës së ndriçimit që paguajnë familjet dhe bizneset, duke kërkuar transparencë për shumën që mblidhet dhe fondet që përdoren për këtë shërbim.
“Çdo familje dhe biznes i regjistruar në territorin e Bashkisë Durrës paguan tarifë ndriçimi dhe kjo tarifë mblidhet nëpërmjet pagesave të ujit të pijshëm. Mendoj se duhet parë raporti se sa para mblidhen nga tarifa e ndriçimit dhe sa investohet në ndriçim”, thekson ai.
Aktivisti shpreh shqetësim edhe për disa punime në zonën e Durrësit të Ri. Sipas informacioneve të tij, projektet për rikonstruksionin e rrugicave ndërmjet rrugëve “Sulejman Pitarka”, “Bisht Kamza” dhe “Tahsim Këlliçi” përfshijnë kanalizimet dhe betonimin, por nuk parashikojnë ndërhyrje në ndriçimin publik.
Ndërsa dimri afrohet, rrugët që mbeten në errësirë rikthejnë një problem ende të pazgjidhur plotësisht në Durrës, mungesën e ndriçimit publik, që vështirëson lëvizjen e sigurt të qytetarëve edhe pasi perëndon dielli. /Amfora.al













