Stereotipi i vllehëve të Shqipërisë, ishte personifikim i bariut. Në fakt ata kanë kryer edhe funksione të tjera ekskluzive si prijës karvanesh, dhe korrierë. Profesor Pëllumb Xhufi, në konferencën shkencore ndërkombëtare me temën “Vllehtë e Shqipërisë në kontekstin ballkanik”, tha se burime nga shekulli 15 e tutje i quajnë korrierët që përcillnin postën e mesazhet urgjente nga Stambolli me termin ulak.
“Marin Barletit ndalet në këtë kategori shërbimi. Ai citon një rast kur gjatë rrethimit të Beratit nga forcat e Skënderbeut më 1455, sulltani dërgon një mesazh urgjent në Gjirokastër që korrierët vllehë e sollën me shpejtësinë e erës. Nga Stambolli në Gjirokastër e sollën për 3 ditë, por kjo rrugë zakonisht zgjaste me 1 muaj. Kjo thotë Barleti, sepse sulltani kishte nxjerr një urdhër sipas të cilit korrierët vllehë, mund t’i kërkonin kujtdo që ndeshnin rrugës, ndërrimin e kuajve, ndaj vinin shpejt”, tha Xhufi.
Konferenca solli në vëmendje tipare të ndryshme të kësaj bashkëjetese, bashkë me zhvendosjet e tyre, nga malësitë e Oparit, Voskopojës, Kolonjës, Këlcyrës drejt Myzeqesë, një tjetër zotërim i Muzakajve. Për Ferit Dukën, në rastin e Voskopojës, duhet megjithatë kuptuar se regjistrat osmanë e shënojnë ardhjen e tyre.
“Dokumentet osmane tregojnë se pjesa me e madhe e popullsisë voskopojare ishte autoktone, banorë historikë e këtij fshati. Të ardhurit kur ka pasur të tillë, janë regjistruar me vete dhe me emrin e origjinës, sikundër ndodhi me meçovitet e Voskopojës” tha Duka.
Studiues të ndryshëm u ndalën në aspekte të ndryshme të jetës së Vllehëve, si humanistë, filantropë e artistë, kontributin në sovranitetin e Shqipërisë, por edhe rolin e tyre në Greqi e më gjerë.
