Katër ditë pas shpërthimit tragjik të gazit në një pallat në Elbasan, që u mori jetën dy personave dhe la pa banesë 15 familje, një nga banorët e mbijetuar ka rrëfyer për herë të parë momentet e tmerrit që përjetoi.
I ftuar në emisionin “Në Kohë Reale”, moderuar nga Anjola Hamzaj, 20-vjeçari Manuel Sanço tregoi se si ai dhe nëna e tij hynë mes flakëve dhe rrënojave për të shpëtuar familjarët e bllokuar në apartament.
Manueli tregoi se në momentin e ngjarjes po kthehej në banesë së bashku me nënën e tij.
“Ishim futur në oborrin e pallatit dhe për një fraksion sekondi dëgjuam një zhurmë jashtëzakonisht të madhe. Mbeta i shtangur. Mami vrapoi menjëherë drejt banesës dhe unë pas saj. I gjithë muri i katit të tretë kishte rënë poshtë, ndërsa tullat vazhdonin të binin ende”, rrëfeu ai.
Sipas të riut, në apartament ndodheshin babai dhe vëllai i tij 16-vjeçar.
“Kur hymë brenda pamë se gjithçka ishte shkatërruar. Soleta e katit të tretë kishte rënë në sallonin tonë. Kishte flakë të mëdha dhe tym të zi kudo. Ishte një pamje që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Vëllai bërtiste nga poshtë rrënojave” , tha ai.
Momenti më dramatik për familjen, tregon Manueli ishte shpëtimi i vëllait të mitur, i cili kishte mbetur i bllokuar në dhomën e gjumit.
“Dëgjonim zërin e tij që bërtiste. Thërriste nënën dhe kërkonte ndihmë. Tek dera e dhomës kishte mbetur një hapësirë e vogël dhe bashkë me një komshi arritëm të largonim disa tulla. E nxorëm zvarrë nga rrënojat dhe e shpëtuam. Ishte një mrekulli që doli gjallë. Nga zjarri në katin e tretë mori flakë edhe kati i katërt. Më pas u shemb edhe soleta e atij kati dhe përfundoi mbi banesën tonë. Ishte një skenë apokaliptike, diçka që nuk e kisha imagjinuar kurrë se do ta shihja me sytë e mi”, tha ai.
Ndërsa vëllai u nxor nga banesa, tregon ai, babai ndodhej në një tjetër pjesë të apartamentit.
“Mami më tha se nuk mund ta shpëtonim dot babain. Gjithçka ishte shembur dhe hyrja nga ajo anë ishte e pamundur. Kishte rrënoja kudo. Ai ndodhej në ballkon. Gjatë shpërthimit dera e ballkonit i ra në kokë dhe e plagosi. Më pas tentoi të fikte zjarrin me një batanije të lagur, por pësoi djegie në duar. Në fund, për të shpëtuar jetën, u hodh nga ballkoni i katit të dytë”.
Sipas tij, babai nuk largohej nga ndërtesa sepse mendonte se djali i tij ishte ende brenda.
“Ai u thoshte zjarrfikësve: ‘Kam djalin brenda’. Nuk e dinte që ne e kishim nxjerrë tashmë. Vetëm pasi e mori vesh pranoi të largohej .Po të mos ishim aty, sot nuk do ta kishim vëllain”
Mw tej ai tha se, “Babai na tha më vonë se po të mos kishim qenë aty në ato momente, sot vëllai nuk do të ishte gjallë. Kjo është e sigurt. Është shumë i traumatizuar. Është në një moshë delikate dhe ajo që ka përjetuar është jashtëzakonisht e rëndë. Përveç rrënojave, ai u asfiksua edhe nga tymi që kishte mbushur dhomën”.
Gjithashtu, 20-vjeçari vlerësoi reagimin e shpejtë të shërbimeve emergjente.
“Ambulancën dhe zjarrfikëset i mora vetë në telefon. Brenda 5 deri në 10 minutash ishin në vendngjarje. Dua t’i falënderoj sepse u treguan shumë të shpejtë dhe profesionistë”, tha ai.
Manueli falënderoi gjithashtu punonjësit e Bashkisë së Elbasanit, të cilët sipas tij kanë qenë pranë familjeve të prekura që nga dita e parë e tragjedisë.
“Ne për momentin jemi strehuar te të afërmit. Nuk dimë ende çfarë do të ndodhë më pas. Kemi humbur pothuajse gjithçka. Dëmi është kolosal për të gjitha familjet e pallatit”, tha banori i ri.
Sipas tij, si zgjidhje emergjente është ofruar sistemimi i përkohshëm në konvikte, ndërsa ende nuk ka një vendim përfundimtar për dëmshpërblimin dhe rindërtimin.
Në rrëfimin e tij, Manueli bëri thirrje për solidaritet me familjet e prekura nga tragjedia.
“Kush ka mundësi të japë sadopak ndihmë, do të ishte një mbështetje shumë e madhe për familjet që kanë humbur gjithçka. Nuk detyroj askënd, por çdo kontribut ka vlerë. Edhe një shpërndarje e thirrjes për ndihmë është shumë e rëndësishme për ne”, u shpreh ai.
Tragjedia e Elbasanit u mori jetën dy personave dhe la dhjetëra banorë pa strehë. Ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, familjet e prekura përballen me sfidën e rindërtimit të jetës së tyre nga e para.
Shpërthimi i fuqishëm ndodhi më 4 nëntor, rreth orës 14:00. Viktima mbetën 82-vjeçarja Hatixhe Berisha dhe 69-vjeçari Hamit Ibra, pronari i apartamentit ku ndodhi shpërthimi.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se bombola 15-litërshe e gazit ishte vendosur në katin e parë të pallatit, ndërsa përmes një tubacioni gazi transportohej deri në apartamentin në katin e tretë.
Autoritetet dyshojnë se një rrjedhje e gazit në banesën e 69-vjeçarit shkaktoi grumbullimin e tij në ambientet e apartamentit dhe shpërthimi ndodhi në momentin kur ai tentoi të ndizte sobën e gatimit.










