Pas pesë filmave me Daniel Craig në rolin e James Bond, agjenti 007 po përgatitet të rikthehet në ekran me një aktor të ri. Sipas BBC-së, producentët pritet të zbulojnë deri në fund të këtij viti se kush do të marrë rolin e spiunit britanik, ndërsa filmi i radhës është planifikuar të dalë në vitin 2028.
Tre emrat që përmenden si kandidatët kryesorë janë Jack Lowden, Josh O’Connor dhe Callum Turner, të tre 36 vjeç. Lowden njihet për serialin “Slow Horses”, O’Connor për “The Crown”, ndërsa Turner për “Masters of the Air”.
Në listën e aktorëve që përfliten janë edhe Robert Pattinson, Jacob Elordi, Paul Mescal, Nicholas Hoult, Joe Alwyn, Jack O’Connell dhe Jack Barton. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar për zgjedhjen përfundimtare.
Producentja Amy Pascal deklaroi në gusht se fundi i vitit ishte një afat i mundshëm për shpalljen e aktorit të ri, duke theksuar se procesi i përzgjedhjes po zhvillohet me shumë kujdes. Sipas raportimeve, provat e fundit para kamerës u zhvilluan në fund të tetorit.
Filmi i ri, i 26-ti në serinë zyrtare të James Bond, pritet të nisë xhirimet në vitin 2027 dhe të shfaqet në kinema në vitin 2028, megjithëse ende nuk ka një datë të saktë apo një titull zyrtar.
Regjia i është besuar Denis Villeneuve, i njohur për filmat “Dune”, “Arrival”, “Sicario” dhe “Blade Runner 2049”. Regjisori kanadez ka treguar se është rritur duke parë filmat e Bond me të atin dhe se e konsideron drejtimin e filmit të ri një përgjegjësi të madhe.
Skenari do të shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i serialit “Peaky Blinders”, i cili ka deklaruar se synon t’i qëndrojë besnik karakterit të James Bond, duke e përshtatur njëkohësisht me kohën. Një tjetër ndryshim është se seria tashmë është në pronësi të Amazon MGM. Për këtë arsye, përflitet se emri i aktorit të ri mund të zbulohet përmes platformës Prime Video, në vend të një konference tradicionale për shtyp.
Që nga filmi i parë “Dr. No” në vitin 1962, vetëm gjashtë aktorë kanë interpretuar James Bond në serinë zyrtare: Sean Connery, George Lazenby, Roger Moore, Timothy Dalton, Pierce Brosnan dhe Daniel Craig.
Craig e interpretoi për herë të fundit agjentin 007 në filmin “No Time to Die”, në vitin 2021, duke i dhënë fund një periudhe 15-vjeçare në këtë rol.