Lidhur me video ku personazhe të njohur të botës së krimit shfaqen në qeli me sende të ndaluara dhe duke bërë jetë luksi, drejtori i Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta tha sot në Komisionin e Sigurisë se një pjesë e pamjeve janë të realizuara me Inteligjencë Artificiale.
Teksa pranoi se te një pjesë e kriminelëve nëpër burgje janë gjetur sende të tepërta, Rajta tha se edhe në botën demokratike, për eksponentët e krimit të dënuar me shumë vite, lejohet në njëfarë mënyre personalizimi i qelisë nga ana e tyre.
“Lidhur me videon që ka qarkulluar me videon e një personazhi të krimit në burg me kushte ekstra. IA është problem i madh. Ka pasur disa por jo të gjitha, të tjerat janë të rregulluara. Ky është problem i madh që duhet parandaluar me ligj. Disa pajisje të tjera... S’ka pasur pajisje të ndaluara, por sende të tepërta. Për krimet e rënda të cilët janë dënuar me shumë vite, mbi 15 vite, edhe bota këtyre personazheve, kanë të drejtën në njëfarë mënyre ta personalizojë atë dhomë”, tha mes të tjerash Rajta në Komisionin e Sigurisë.
Pas këtyre deklaratave, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar ashpër, duke i cilësuar deklaratat e Rajtës si skandaloze dhe të papërgjegjshme.
Bardhi akuzoi drejtuesin se po justifikon privilegjet e eksponentëve të krimit të organizuar brenda burgjeve shqiptare.
Sipas tij, legjislacioni shqiptar përcakton qartë sendet që lejohen në qeli dhe nuk mund të interpretohet si një autorizim për luks të pakufizuar apo instalime private.
Deputeti demokrat kërkon që Ministria e Drejtësisë të kërkojë përgjegjësi institucionale dhe të marrë masa ndaj Drejtorit të Policisë së Burgjeve, deri në shkarkimin e tij.
Ai thekson se institucionet penitenciare duhet të garantojnë zbatimin e ligjit, disiplinën dhe sigurinë, dhe jo rehatinë e personave të lidhur me krimin e organizuar.
Reagimi i Bardhit:
Kjo është një deklaratë skandaloze, e papërgjegjshme dhe thellësisht antishtetërore!
Në vend që të japë llogari se kush e lejoi dhe si u bë e mundur që qelitë e burgjeve shqiptare të shndërroheshin në hotele luksi me pesë yje, për eksponentë të rrezikshëm të krimit të organizuar, Drejtori i Policisë së Burgjeve zgjedh të justifikojë këtë situatë me argumente absurde, si: “edhe bota lejon personalizimin” apo se “ishin sende të tepërta, por jo të ndaluara”.
Ky arsyetim nuk është thjesht i papranueshëm. Ai përbën një përpjekje të hapur për të relativizuar shkeljen e ligjit dhe për të shmangur përgjegjësinë institucionale.
Legjislacioni shqiptar dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve përcaktojnë qartë dhe në mënyrë shteruese sendet që lejohen të mbahen në qelitë e burgjeve, si dhe kushtet në të cilat ato duhet të administrohen. Asnjë dispozitë ligjore nuk mund të interpretohet si leje për luks të pakufizuar, për instalime të pajustifikuara apo për investime private që cenojnë regjimin dhe sigurinë e institucioneve penitenciare.
Të justifikosh luksin e pajustifikueshëm të eksponentëve të krimit të organizuar brenda burgjeve shqiptare do të thotë të pranosh si të normalizuar shkeljen e ligjit dhe të tradhtosh vetë misionin e institucioneve që duhet ta zbatojnë atë.
Në një shtet që funksionon mbi përgjegjshmërinë dhe sundimin e ligjit, pas një deklarate të tillë, Drejtori i Policisë së Burgjeve nuk do të duhej të rikthehej në zyrë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Një ministër i përgjegjshëm i Drejtësisë do të kërkonte menjëherë llogari dhe do të merrte masa konkrete, deri në shkarkimin e tij.
Burgjet nuk janë hotele luksi. Qelitë nuk janë prona private. Dhe krimi i organizuar nuk mund të ketë privilegje që qytetarët e zakonshëm as nuk mund t'i imagjinojnë. Detyra e strukturave të sigurisë në burgje është të garantojnë zbatimin e ligjit, disiplinën dhe sigurinë, jo të sigurojnë rehatinë e krimit të organizuar!










Komente
Komento