Projektligji i ri “Për investimet” është hapur për konsultim publik. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, u ka bërë thirrje bizneseve, investitorëve, shoqatave të biznesit dhe ekspertëve që të paraqesin sugjerimet e tyre për përmirësimin e nismës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ibrahimaj bëri të ditur se projektligji synon të krijojë kushte më të favorshme për tërheqjen e investimeve të reja në Shqipëri. Kjo do të realizohet përmes përcaktimit të rregullave të qarta, thjeshtimit të procedurave dhe garantimit të sigurisë për investitorët vendas dhe të huaj.
“Shqipëria ka nevojë për nxitjen e investimeve të reja. Për biznese që rriten, për vende të reja pune. Për më shumë produktivitet dhe për paga më të larta”, u shpreh ministrja.
Ajo theksoi se përfshirja e grupeve të interesit në hartimin e kuadrit të ri ligjor është e rëndësishme, pasi propozimet e tyre mund të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për investimet dhe zhvillimin ekonomik.
Projektligji ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit publik, gjatë së cilës palët e interesuara kanë mundësinë të japin mendimet dhe rekomandimet e tyre përpara miratimit të tij.

