Deklaratat e Drejtorit të Policisë së Burgjeve në Komisionin e Sigurisë për kushtet dhe sendet e gjetura në qelitë e eksponentëve të krimit të organizuar kanë shkaktuar reagimin e ashpër të kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Ai i cilëson skandaloze dhe antishtetërore përpjekjet për të justifikuar luksin në qelitë e burgjeve shqiptare.
Bardhi kërkon llogaridhënie për shndërrimin e qelive në ambiente luksi, duke akuzuar drejtuesit e institucioneve se po relativizojnë shkeljen e ligjit. Sipas tij, ministri i Drejtësisë duhet të marrë masa konkrete, deri në shkarkimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Kjo është një deklaratë skandaloze, e papërgjegjshme dhe thellësisht antishtetërore!
Në vend që të japë llogari se kush e lejoi dhe si u bë e mundur që qelitë e burgjeve shqiptare të shndërroheshin në hotele luksi me pesë yje, për eksponentë të rrezikshëm të krimit të organizuar, Drejtori i Policisë së Burgjeve zgjedh të justifikojë këtë situatë me argumente absurde, si: “edhe bota lejon personalizimin” apo se “ishin sende të tepërta, por jo të ndaluara”.
Ky arsyetim nuk është thjesht i papranueshëm. Ai përbën një përpjekje të hapur për të relativizuar shkeljen e ligjit dhe për të shmangur përgjegjësinë institucionale.
Legjislacioni shqiptar dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve përcaktojnë qartë dhe në mënyrë shteruese sendet që lejohen të mbahen në qelitë e burgjeve, si dhe kushtet në të cilat ato duhet të administrohen. Asnjë dispozitë ligjore nuk mund të interpretohet si leje për luks të pakufizuar, për instalime të pajustifikuara apo për investime private që cenojnë regjimin dhe sigurinë e institucioneve penitenciare.
Të justifikosh luksin e pajustifikueshëm të eksponentëve të krimit të organizuar brenda burgjeve shqiptare do të thotë të pranosh si të normalizuar shkeljen e ligjit dhe të tradhtosh vetë misionin e institucioneve që duhet ta zbatojnë atë.
Në një shtet që funksionon mbi përgjegjshmërinë dhe sundimin e ligjit, pas një deklarate të tillë, Drejtori i Policisë së Burgjeve nuk do të duhej të rikthehej në zyrë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Një ministër i përgjegjshëm i Drejtësisë do të kërkonte menjëherë llogari dhe do të merrte masa konkrete, deri në shkarkimin e tij.
Burgjet nuk janë hotele luksi. Qelitë nuk janë prona private. Dhe krimi i organizuar nuk mund të ketë privilegje që qytetarët e zakonshëm as nuk mund t'i imagjinojnë. Detyra e strukturave të sigurisë në burgje është të garantojnë zbatimin e ligjit, disiplinën dhe sigurinë, jo të sigurojnë rehatinë e krimit të organizuar!
© SYRI.net