Vendosni fjalën kyçe....

Kina zgjat për dy muaj pezullimin e tarifave shtesë për importet amerikane


Kina tha sot se ka zgjatur për dy muaj pezullimin e tarifës shtesë prej 24 për qind për importet amerikane dhe tarifat speciale portuale për anijet e lidhura me SHBA-në, transmeton Anadolu.

Pekini do të vazhdojë të pezullojë tarifën shtesë prej 24 për qind për importet me origjinë nga SHBA-ja për dy muaj, por do të mbajë në fuqi normën shtesë tarifore prej 10 për qind, raportoi agjencia shtetërore Xinhua News, duke cituar Komisionin e Tarifave Doganore të Këshillit Shtetëror.

Pas samitit të Washingtonit të shtatorit midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe homologut të tij kinez Xi Jinping, të dyja palët propozuan një paketë prej 60 miliardë dollarësh të uljes së tarifave reciproke, përfshirë afërsisht 17 miliardë dollarë mallra bujqësore amerikane që Kina importoi në vitin 2024.

Plani ende nuk është finalizuar. Kina po zgjat pezullimet e tarifave për të zbatuar “rezultatet dhe konsensusin e arritur në takimin e Washingtonit midis krerëve të shteteve të Kinës dhe SHBA-së”, tha Këshilli i Shtetit në një deklaratë.

Kina ka vënë në dukje se pala amerikane ka deklaruar vazhdimisht qëllimin e saj për të zëvendësuar tarifat sipas Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente, të cilat janë shpallur të pavlefshme, me tarifat e Seksionit 301, shtohet deklarata.

“Kina do të vazhdojë të ndjekë nga afër lëvizjet e mëvonshme të palës amerikane dhe të rregullojë kundërmasat e saj përkatëse tarifore në dritën e situatës“, thuhet më tej.

Në një lëvizje të ngjashme, Ministria e Transportit e Kinës njoftoi sot se do të vazhdojë të pezullojë mbledhjen e tarifave të posaçme portuale për anijet e lidhura me SHBA-në dhe hetimin e saj për ndikimin në sigurinë dhe interesat e zhvillimit të industrive të tansportit detar dhe ndërtimit të anijeve dhe zinxhirëve përkatës industrialë dhe të furnizimit deri më 10 janar 2027.

Pekini njoftoi fillimisht një pezullim një vjeçar të tarifave speciale të portit dhe hetimin në nëntor të vitit të kaluar në përputhje me konsensusin e arritur gjatë bisedimeve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA në Kuala Lumpur, Malajzi.

Masa përkoi me pezullimin nga ana e Washingtonit të masave përfundimtare të hetimit të tij në sektorët detarë, logjistikës dhe të ndërtimit të anijeve të Kinës.