Një vit i mbarë për Konispolin, rritet prodhimi i mandarinave dhe zgjerohen eksportet drejt Europës

Një vit i mbarë për Konispolin, rritet prodhimi i mandarinave dhe zgjerohen eksportet drejt Europës

Sezoni i mandarinave ka nisur me rezultate premtuese në Konispol, ku rreth 850 fermerë kanë filluar vjeljen dhe eksportin e prodhimit të këtij viti. Cilësia e frutave vlerësohet më e mirë, ndërsa prodhimi pritet të jetë rreth 5 mijë tonë më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Në parcelat e Mursisë dhe Çiflikut, fermerët janë angazhuar në vjeljen e mandarinave, ndërsa pikat e grumbullimit kanë nisur përgatitjen e ngarkesave për tregjet e huaja.

Arjol Shero, sipërmarrës në një prej pikave të grumbullimit, shprehet se ky sezon ka nisur me tregues pozitivë. Sipas tij, gjatë gjithë vitit është punuar për përmirësimin e cilësisë së prodhimit, edhe përmes bashkëpunimit me agronomë shqiptarë dhe të huaj.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet analizimit të frutave dhe përzgjedhjes së fermerëve, në mënyrë që mandarinat e destinuara për eksport të përmbushin standardet e kërkuara nga blerësit ndërkombëtarë.

Mandarinat e Konispolit drejt tregjeve europiane

Prodhimi i Konispolit vijon të gjejë treg në disa vende të Europës. Krahas Polonisë, Çekisë dhe Kroacisë, këtë vit eksportuesit po zgjerojnë praninë edhe në tregun zviceran.

Sipas sipërmarrësve të pikave të grumbullimit, marrëdhëniet e krijuara ndër vite me partnerët e huaj kanë ndihmuar në ruajtjen e tregjeve ekzistuese, ndërsa cilësia e prodhimit ka krijuar mundësi për zgjerimin e eksporteve.

Edhe tregu vendas vijon të ketë kërkesë të kënaqshme, duke u dhënë fermerëve mundësi të shesin prodhimin si brenda vendit, ashtu edhe për eksport.

Çmimi i mandarinave nga 60 deri në 80 lekë për kilogram

Fermerët e Konispolit shprehen optimistë për ecurinë e sezonit, megjithëse vjelja ka nisur rreth 10 ditë më vonë se një vit më parë, për shkak të kushteve atmosferike dhe reshjeve të vonuara.

Çmimi i shitjes së mandarinave në fillim të sezonit arriti në 80 lekë për kilogram, ndërsa aktualisht lëviz kryesisht nga 60 deri në 70 lekë.

Sipas kultivuesve, prodhimi i këtij viti është më i bollshëm dhe me cilësi të mirë. Një pjesë e frutave ende nuk ka marrë ngjyrën e plotë të pjekjes, por vjelja po vijon gradualisht në varësi të gjendjes së prodhimit.

Fermerët do të përfitojnë kompensim prej 10%

Një tjetër zhvillim për këtë sezon është skema e kompensimit prej 10% të vlerës së mandarinave të shitura.

Sipas informacionit të dhënë nga përfaqësuesit e pikave të grumbullimit, fermerët mund të aplikojnë për këtë mbështetje nëpërmjet platformës e-Albania, duke përdorur faturën e shitjes së prodhimit.

Për kultivuesit e mandarinave, kjo masë shihet si një ndihmë për përballimin e shpenzimeve të prodhimit. Megjithatë, sipërmarrësit shprehin shqetësimin që procedurat administrative të mos vonojnë marrjen e kompensimit nga fermerët.

Sezoni i mandarinave, burim punësimi për qindra familje

Përveç të ardhurave nga shitja e prodhimit, kultivimi i mandarinave ka një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në punësimin sezonal.

Në plantacionet e Mursisë, Çiflikut dhe zonave përreth, gjatë periudhës së vjeljes angazhohen familje të tëra, si edhe punëtorë nga zona të tjera.

Punonjësit që marrin pjesë në vjelje shprehen të kënaqur me cilësinë dhe sasinë e prodhimit, duke vlerësuar se këtë vit pemët kanë dhënë më shumë fruta.

Me rreth 950 hektarë sipërfaqe të mbjellë me agrume, Konispoli mbetet zona kryesore e prodhimit dhe eksportit të mandarinave në Shqipëri.

Për qindra familje, mandarina nuk është thjesht një kulturë bujqësore, por burimi kryesor i të ardhurave. Nga puna në parcela deri te grumbullimi, transporti dhe eksporti, ky aktivitet përbën një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë lokale.

Rritja e prodhimit dhe zgjerimi i tregjeve të huaja krijojnë pritshmëri pozitive për fermerët dhe ekonominë e Konispolit gjatë këtij sezoni. Saranda Web

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Një vit i mbarë për Konispolin, rritet prodhimi i mandarinave dhe zgjerohen eksportet drejt Europës
Lexoni më shumë
Ermil Xhaferi, nga Saranda te Cage Warriors: fitorja e gjashtë në MMA profesioniste
Lexoni më shumë
Publikohet projekti për rikontruksionin e Kinoteatrit Butrinti në Sarandë
Lexoni më shumë
Projektbuxheti 2027, 14 milionë euro transferta për Sarandën, Delvinën, Finiqin dhe Konispolin
Lexoni më shumë
Auron Tare akuza për heqjen e 800 hektarëve nga Parku i Butrintit: U falsifikuan dokumentet për t’i hapur rrugë ndërtimeve
Lexoni më shumë
Butrinti dhe Delvina luajnë në transfertë, dy sfida me objektiva të ndryshëm
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.