Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, deklaroi se opozita do të hartojë raportin dhe draftin e saj me propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Këto propozime do t'i depozitojë zyrtarisht në Komisionin për Reformën Zgjedhore. Ai foli pas bojkotit nga opozita të mbledhjes së komisionit dhe përplasjeve mes palëve për vijimin e punës së tij, shkruan BalkanWeb.
Sipas deputetit demokrat, dokumenti do të jetë i qartë dhe pa ekuivoke, në mënyrë që publiku të dijë çfarë ndryshimesh propozon opozita. Një prej propozimeve kryesore, tha ai, janë listat e hapura, të cilat sipas tij janë kërkuar edhe nga partitë e vogla. Korreshi theksoi se kolegët e PD-së ishin të pranishëm në komision gjatë ditës, por në një moment janë ngritur dhe kanë reaguar ndaj mënyrës se si po zhvillohej diskutimi.
Ai nënvizoi se afati përfundimtar për punën e komisionit mbetet 30 nëntori. Deputeti demokrat akuzoi Partinë Socialiste se ka ndjekur të njëjtën qasje edhe në komisionet e tjera, duke vendosur ultimatume dhe duke marrë vendime të njëanshme. Si shembull solli Komisionin për Reformën Territoriale.
Sipas tij, socialistët predikojnë dialogun në mëngjes dhe më pas vendosin ultimatume. “Sa herë ulesh me PS-në, në çdo komision apo kudo, ka një arrogancë. Gjithçka është false.
Ne jemi ulur sot për të dhënë një zgjidhje përfundimtare, një Kod Zgjedhor me lista të hapura”, deklaroi Korreshi. Ai shtoi se PD do të dorëzojë një qëndrim të fortë dhe të qartë në komision, pa shumë nënkuptime, për Kodin Zgjedhor. “PS-ja ka pasur gjithmonë këtë qasje në çdo komision: flet për ultimatume dhe vendime të njëanshme.
Kjo ndodhi edhe me Reformën Territoriale. Patjetër që duhet të gjendet një zgjidhje”, u shpreh ai. Sipas deputetit, komisioni duhet të prodhojë një zgjidhje përfundimtare për Kodin Zgjedhor brenda afatit të 30 nëntorit. Opozita do të bëjë publike propozimet e saj përmes draftit që do të depozitojë.
