Prokuroria e Posaçme, SPAK paraqiti të hënën konkluzionet përfundimtare në çështjen penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera gjatë kohës që drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, përmes favorizimit të një kompanie private në prokurimin me vlerë 69.5 milionë lekë. Bashkë me Becin akuzohen edhe gjashtë ish-vartës të tij, përfshirë edhe bashkëshortja e Evis Berberit, ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar që ndodhet i arrestuar për vepra të tjera penale.
SPAK kërkoi deklarimin fajtor të Becit dhe dënimin e tij me dy vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 1 vit e katër muaj. Prokuroria kërkoi pezullimin e këtij dënimi dhe vendosjen e Becit në shërbim prove për 4 vjet, me qëllim që të mos kryejë tjetër vepër penale gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, u kërkua caktimi i dënimit plotësues për moslejimin e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare. E njëjta masë u kërkua edhe për të pandehurën Adela Ruko, bashkëshorten e Berberit.
Për të pandehurit e tjerë, Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti, anëtarë të komisionit të vlerësimit të prokurimit dhe njësisë së prokurimit në atë tender, u kërkua dënimi me nga 1 vit heqje lirie për secilin, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbetet 8 muaj burg. Edhe në këtë rast, SPAK kërkoi pezullimin e dënimit dhe në përfundim konvertimin e masës me 150 orë punë për secilin.
Beci dhe gjjashtë të pandehurit e tjerë akuzohen se kanë shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”. Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, pas sekuestrimit të provave materiale në banesën e Berberit. Në telefonin e Berberit u gjetën prova për materiale që ky i fundit i kishte dërguar Becit në lidhje me tendering në fjalë, si dhe përgjigjet e ish-drejtorit të KESH, që i shkruante “ok” dhe e falënderonte.
Sipas SPAK, nga analizimi i provave të siguruara, ka rezultuar se Benet Beci në bashkëpunim me gjashtë vartësit e tij, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k..
Gjatë seancës të hënës paraqiti konkluzionet përfundimtare edhe përfaqësuesi ligjor i Becit, avokati Ervin Metalla, i cili kërkoi pafajësi. Ai parashtroi se, në përfundim të seancës paraprake gjyqtari përkatës duhet të kishte vendosur pushimin e akuzës, pasi nuk provohej që i pandehuri Benet Beci të kishte kryer ndonjë vepër penale. Sipas metallës, jo vetëm që nuk është provuar fajësia e të pandehurit përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, por nuk është provuar një sjellje e tij personale që, e vlerësuar në përmbajtjen dhe rrethanat konkrete, të përmbushë elementet objektive dhe subjektive të veprës penale.
Avokati solli në vëmendje mesazhet që Beci i ka dërguar Berberit, “Ok, flm Visi” dhe “Flm” dhe argumentoi se, në pretendimet dhe provat e prokurorisë, mungon veprimi i Becit. Sipas Metallës, nuk është provuar se çfarë bëri Benet Beci me materialet; se kujt ia përcolli apo çfarë urdhri dha; se cilin kriter kërkoi të vendosej; në cilin punonjës ndikoi dhe cilën vendimmarrje orientoi; se cilit operator kërkoi t’i krijohej avantazh; apo në çfarë mënyre konkrete ndërhyri në procedurën e prokurimit.
“Në të drejtën penale nuk dënohet një person për atë që mund të hamendësohet se ka kuptuar nga një mesazh”, tha Metalla dhe nënvizoi se në periudhën kur ka nodhur tenderi, kuadri ligjor dhe nënligjor parashikonte ndarje funksionesh ndërmjet titullarit dhe strukturave të ngarkuara me përgatitjen dhe vlerësimin e prokurimit. Sipas tij, prokuroria nuk idetnfikoi ndonjë urdhër apo kërkesë konkrete që Beci t’u ketë drejtuar anëtarëve të mkësosë së prokurimit apo komisionit të vlerësimit të ofertave për të përfshirë në dokumentet e tenderit materialet e përcjella në telefonin e tij nga Berberi.
Metalla argumentoi se organi akuzës nuk ka provuar që Beci të ketë përcaktuar kriteret e tenderit; të ketë ndryshuar kritere apo të ketë kërkuar përshtatjen e tyre për një operator. Ai këmbënguli se nuk provohet që i pandehuri të ketë kryer ndonjë veprim konkret në funksion të avantazhit të pretenduar nga SPAK. Sipas tij, përgjigjet e mirësjelljes ndaj materialeve të dërguara nuk provojnë marrëveshje kriminale.





