Një zjarr i madh që shpërtheu në orët e para të së hënës në një ndërtesë gjashtëkatëshe në Manhattan, New York, i mori jetën një personi dhe la disa të tjerë të lënduar.
Flakët nisën rreth orës 01:30 me kohën lokale, në një apartament në katin e tretë, në adresën 660 Riverside Drive, mes rrugëve West 143rd dhe 144th.
Të lidhura
None found
Departamenti i Zjarrfikësve të New York-ut (FDNY) bëri të ditur se apartamenti ishte i mbushur me sende të ndryshme, gjë që pengoi punën e ekipeve. Me përhapjen e zjarrit, në orën 01:47 u shpall alarmi i dytë dhe u thirrën forca shtesë.
Gjatë kërkim-shpëtimit, zjarrfikësit gjetën një burrë pa shenja jete. Vdekja e tij u konfirmua në vendngjarje. Një person tjetër u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ndërsa një i tretë, me lëndime të lehta, nuk pranoi ndihmë mjekësore.
Dy zjarrfikës pësuan gjithashtu lëndime të lehta dhe u transportuan në spital për trajtim.
U angazhuan 141 zjarrfikës dhe punonjës emergjence
Në operacionin për shuarjen e zjarrit dhe kontrollin e situatës morën pjesë 46 mjete e njësi zjarrfikëse, si dhe gjithsej 141 zjarrfikës e punonjës të shërbimeve të emergjencës.
Ekipet qëndruan në terren për të vënë flakët nën kontroll dhe për të mos lejuar përhapjen e tyre në apartamentet e tjera të ndërtesës.
Autoritetet ende nuk kanë publikuar identitetet e viktimës dhe të të lënduarve. Shkaqet dhe rrethanat e zjarrit nuk janë bërë të ditura, ndërsa po hetohen nga shërbimet kompetente në New York.






