Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar për çështjen e ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale, Diella, duke rrëzuar kërkesën e 39 deputetëve për shfuqizimin e dispozitave të dy dekreteve presidenciale që lidhen me të.
Vendimi u mor më 8 tetor 2026 dhe u shpall më 9 nëntor. Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se dispozitat e kundërshtuara kanë efekt juridik individual ndaj Kryeministrit, por nuk krijojnë vetë kompetenca apo struktura të reja dhe nuk kanë karakter normativ. Për këtë arsye, sipas saj, ato nuk mund t’i nënshtrohen kontrollit abstrakt të kushtetutshmërisë.
Në vendim, Kushtetuesja sqaron se Diella është një program i inteligjencës artificiale dhe jo një person fizik që mund të ketë zotësi juridike apo të veprojë në mënyrë të pavarur.
“Ministri virtual është një program i inteligjencës artificiale i organizuar në mënyrë jofrymore, i cili nuk përfaqëson në vetvete një person fizik real me zotësi juridike dhe zotësi për të vepruar në mënyrë të pavarur, e për rrjedhojë nuk ka të drejta të mëvetshme që e bëjnë atë një subjekt të pavarur në qarkullimin civil dhe administrativ. Si i tillë, në rastin e tij nuk zbatohen kriteret kushtetuese dhe ligjore dhe rregullat që kanë të bëjnë me zgjedhshmërinë, me papajtueshmërinë e funksionit ose me verifikimin e zgjedhjes së tij”, thuhet në vendim.
Gjykata vlerëson se Diella është një platformë teknologjike që përdoret për përpunimin e të dhënave në procedurat e prokurimeve publike dhe tenderimeve, dhe jo një funksionar kushtetues apo ministre në kuptimin juridik të këtij funksioni.
Në arsyetim theksohet gjithashtu se platforma nuk ka tiparet e një ministrie si person juridik, pasi nuk zotëron strukturë organizative, pavarësi pasurore apo përgjegjësi të pavarur juridike dhe institucionale për veprimet e kryera.
“Gjithashtu, ai nuk gëzon karakteristikat ose tiparet e “ministrisë” si person juridik të lidhura me pasjen e një strukture organizative, të pavarësisë pasurore dhe të përgjegjësisë së pavarur juridike dhe institucionale për veprimet që kryen dhe aktet që nxjerr nën drejtimin dhe autoritetin e ministrit virtual Diella, që nuk gëzon as cilësinë individuale si person fizik”, thuhet më tej në vendim.
Kërkesa e deputetëve u rrëzua me shumicë votash. Në pakicë mbetën gjyqtarët Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi, të cilët argumentuan se dispozitat e kundërshtuara duhej të shfuqizoheshin, pasi i konsideronin të papajtueshme me Kushtetutën.

