Rajoni

Kosova pa transport hekurudhor, pse protestohet?

Qarkullimi i trenave të udhëtarëve në Kosovë është ndërprerë më 9 nëntor, për shkak të grevës së punëtorëve të ndërmarrjes publike Infrakos, të cilët kërkojnë rritjen e pagave në përputhje me pozitat dhe përgjegjësitë e tyre.

Ndërprerja ka prekur linjën Prishtinë-Pejë, e vetmja që aktualisht funksionon për transportin e udhëtarëve në vend.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes publike Trainkos, treni i paraparë të nisej nga Prishtina në orën 07:50 do ta ndërpriste udhëtimin në Fushë Kosovë, pasi Infrakos kishte paralajmëruar ndalimin e shërbimeve infrastrukturore nga ora 08:00.

Pezullimi i shërbimeve ka pamundësuar edhe qarkullimet tjera deri në normalizimin e situatës.

Trainkos, që është përgjegjës për transportin hekurudhor, tha se ndërprerja ka ndodhur për shkaqe jashtë mundësive të tij operative dhe se shërbimet do të rikthehen sapo të krijohen kushtet.

Pse protestojnë punëtorët?

Hysen Nikqi, nga Këshilli Grevist i Infrakosit, tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesa kryesore e punëtorëve është indeksimi i pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve.

Sipas tij, pakënaqësitë janë shtuar pas rritjes së pagës minimale në 500 euro, nga korriku i këtij viti, pasi pagat e punëtorëve të tjerë nuk janë rritur në mënyrë proporcionale.

Kjo, sipas Nikqit, ka bërë që dallimet në paga ndërmjet punonjësve me kualifikime dhe përgjegjësi të ndryshme të ngushtohen ndjeshëm.

“Me vendim të Qeverisë, tashmë paga minimale ka arritur në 500 euro dhe ka prekur një numër të konsiderueshëm të punëtorëve. Por, pjesa tjetër është ngushtuar, sepse pagat nuk janë rritur në mënyrë proporcionale për të gjitha kategoritë”, tha Nikqi.

Ai përmendi si shembull dallimin e vogël në paga ndërmjet inxhinierëve dhe punëtorëve teknikë apo shërbyes, duke thënë se struktura aktuale e pagave nuk pasqyron përgjegjësitë e secilës pozitë.

Sipas tij, Infrakos ka rreth 200 punëtorë.

Nikqi nuk dha të dhëna për pagën mesatare në ndërmarrje, ndërsa paralajmëroi se greva do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe menaxhmentit të Infrakosit me pyetje lidhur me pagën mesatare të punonjësve dhe hapat e mundshëm për zgjidhjen e situatës, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.

Infrakos dhe Trainkos janë dy ndërmarrje publike me përgjegjësi të ndryshme.

E para menaxhon infrastrukturën hekurudhore, përfshirë binarët dhe sistemet e nevojshme për qarkullimin e trenave, ndërsa e dyta ofron shërbimet e transportit.

Për këtë arsye, Trainkos varet nga shërbimet infrastrukturore të Infrakosit për të operuar trenat, edhe kur vetë ndërmarrja e transportit nuk është pjesë e grevës.

Greva e paralajmëruar dy javë më parë

Ndërprerja e qarkullimit të trenave vjen pas një proteste që punëtorët e Infrakosit mbajtën më 26 tetor, para stacionit hekurudhor në Fushë Kosovë.

Atëherë, ata paralajmëruan se do të hynin në grevë nëse kërkesat e tyre nuk do të adresoheshin nga drejtuesit e ndërmarrjes.

Përveç indeksimit të pagave, punëtorët kërkuan përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë.

Përfaqësuesit sindikalë kritikuan bordin dhe menaxhmentin e ndërmarrjes, duke pretenduar se nuk kishin ndërmarrë hapa konkretë për plotësimin e kërkesave të tyre.

Në deklarimet publike të 9 nëntorit, përfaqësuesit e sindikatës përmendën edhe kërkesën për rritjen e kompensimit për ushqim dhe pagesa retroaktive për tre muajt e fundit.

Si ndikoi rritja e pagës minimale?

Paga minimale në Kosovë ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit.

Nga 350 euro bruto në vitin 2024, ajo u rrit në 425 euro në janar të vitit 2026 dhe në 500 euro nga korriku, sipas vendimit të Qeverisë, të marrë më 31 tetor 2025.

Kjo përbën një rritje prej rreth 43 për qind krahasuar me nivelin e vitit 2024.

Megjithatë, rritja e pagës minimale nuk nënkupton automatikisht rritje proporcionale për punonjësit që paguhen mbi këtë nivel.

Pikërisht kjo është në qendër të pakënaqësive në Infrakos, ku përfaqësuesit sindikalë kërkojnë që pagat të pasqyrojnë kualifikimet, pozitat dhe përgjegjësitë e punëtorëve.

Transporti hekurudhor, me vetëm një linjë aktive

Greva e gjen transportin hekurudhor të udhëtarëve në Kosovë me shërbime të kufizuara.

Aktualisht, linja Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas është e vetmja që funksionon për udhëtarët, me nga dy udhëtime në ditë në secilin drejtim.

Sipas të dhënave të Trainkosit, gjatë vitit të kaluar, mbi 88 mijë udhëtarë shfrytëzuan transportin hekurudhor – rreth 20 për qind më shumë se në vitin 2024.

Ndërprerja e shërbimeve nga Infrakos nënkupton kështu pezullimin e të gjithë transportit të rregullt hekurudhor të udhëtarëve në vend.

Hekurudhat e Kosovës, mes investimeve dhe vonesave

Ndërprerja e qarkullimit të trenave vjen në një kohë kur sektori hekurudhor i Kosovës vazhdon të përballet me probleme infrastrukturore dhe vonesa në realizimin e investimeve.

Një nga projektet më të mëdha është rehabilitimi i Linjës 10, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut në jug dhe Serbinë në veri, me synimin për të përmirësuar transportin dhe lidhjet hekurudhore rajonale.

Megjithëse punimet kanë nisur prej vitesh, projekti ende nuk ka përfunduar.

Në raportin e publikuar më 4 nëntor, Komisioni Evropian vlerësoi se përparimi në rehabilitimin e Linjës 10 mbetet i kufizuar.

Sipas Komisionit, punimet në dy fazat e para, që përfshijnë segmentet Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe Fushë Kosovë – Mitrovicë, kanë vazhduar me ritëm të ngadalshëm, duke u përqendruar kryesisht në ndërhyrje teknikisht të ndërlikuara në ura dhe tunele.

Raporti evidenton edhe vonesa në tenderimin e sistemeve të sinjalizimit dhe telekomunikacionit, të nevojshme për të mundësuar qarkullimin e trenave me shpejtësi mbi 100 kilometra në orë.

Edhe pse infrastruktura e kalimit hekurudhor me Maqedoninë e Veriut ka përfunduar, operimet e përbashkëta ende nuk kanë filluar.

Komisioni Evropian kërkoi nga Kosova t’i përshpejtojë punimet dhe t’i adresojë problemet teknike, administrative dhe institucionale që pengojnë përfundimin e projektit.

Qeveria e Kosovës u zotua se do t’i marrë seriozisht të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian dhe se do të angazhohet për adresimin e tyre./ REL

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.