Rreth 400 mijë qytetarë rusë dyshohet se kanë humbur jetën në luftën në Ukrainë që nga shkurti i vitit 2022. Sipas Bloomberg, shifrat dalin nga të dhënat konfidenciale të agjencisë ruse të statistikave, Rosstat, të siguruara nga grupi bjellorus Cyber Partisans dhe grupi ukrainas Silent Crow.

Hakerët pretendojnë se kanë vjedhur rreth 23 terabajt të dhëna, përfshirë mbi 11 milionë certifikata vdekjeje. Sipas përllogaritjeve të grupit bjellorus, deri më 27 gusht 2026 ishin vrarë të paktën 393.881 rusë, ndërsa grupi ukrainas e çon shifrën në 450.100, pasi përfshin edhe kategori të tjera vdekjesh.

Rusia nuk publikon statistika zyrtare për humbjet në luftë që prej shtatorit 2022. Ndërkohë, BBC Russian dhe Mediazona kanë identifikuar me emër rreth 286 mijë ushtarë rusë të vrarë deri më 8 nëntor. Të dhënat e hakerëve nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Sakaq, Shtabi i Përgjithshëm ukrainas pretendon se Rusia ka humbur 2.980 ushtarë, të vrarë ose të plagosur, gjatë 24 orëve të fundit. Nëse konfirmohet, kjo do të ishte shifra më e lartë ditore që nga fillimi i luftës. Kievi përllogarit mbi 1.6 milionë humbje ruse, mes të vrarëve dhe të plagosurve, që nga nisja e pushtimit.

Ndërkohë, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ka kërkuar kontakte të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Europës për të arritur një paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Në prag të negociatave trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi, Kushner njoftoi se do të takohet edhe me përfaqësues të BE-së, NATO-s, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë.

Delegacioni rus është nisur drejt Abu Dhabit, ku Moska do të përfaqësohet nga këshilltari presidencial Vladimir Medinsky, dy zëvendësministra të Jashtëm dhe përfaqësues të ushtrisë.Nga ana tjetër, kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov njoftoi se delegacioni i Kievit do të zhvillojë takime të veçanta koordinimi me përfaqësuesit europianë dhe NATO-n.

Megjithatë, Kremlini ka përjashtuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të europianëve në tryezën e negociatave.

“Në Abu Dhabi do të zhvillohen negociata trepalëshe mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke sqaruar se amerikanët dhe ukrainasit kanë kanalet e tyre të komunikimit me Europën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:54
Kancelari Merz kërcënon të bllokojë buxhetin e BE-së nëse nuk arrihet marrëveshje për financimin e Ukrainës

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar se do të bllokojë marrëveshjen për buxhetin e Bashkimit Europian për periudhën 2028-2034, nëse të gjitha vendet anëtare nuk angazhohen të financojnë Ukrainën gjatë vitit 2027 dhe në vitet pasuese.

Sipas Financial Times, në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa, Merz kërkon që të gjitha shtetet të kontribuojnë në mënyrë të barabartë për mbulimin e nevojave financiare të Kievit, i cili përballet me një mungesë prej 70 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm.

BE-ja është zotuar të mbulojë rreth 45 miliardë euro, por Hungaria, Sllovakia, Bullgaria dhe Republika Çeke kanë sinjalizuar se nuk do të japin ndihma të tjera financiare. Ultimatumi vjen përpara takimit të liderëve europianë në Dublin, të enjten dhe të premten, ku Merz kërkon të diskutohet financimi i Ukrainës.