Modernizimi i transportit publik në Tiranë vijon të mbetet pas afateve të planifikuara. Sistemi i biletimit elektronik, që duhej të përfundonte në vitin 2022, ende nuk kishte nisur të zbatohej deri në auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa vetëm 11% e gjatësisë së rrugëve kryesore urbane kanë korsi të dedikuara për autobusët.
Sipas raportit të KLSH-së për qarkullimin rrugor në Bashkinë e Tiranës, mungesa e biletimit elektronik ka penguar modernizimin e pagesave dhe administrimin më efikas të transportit urban. Njëkohësisht, numri i aboneve të shpërndara ka mbetur i pandryshuar prej vitesh, pa u përshtatur me rritjen e popullsisë dhe kërkesën reale të qytetarëve. Kjo mangësi ka sjellë vështirësi në sigurimin e aboneve për përdoruesit e rregullt.
Problematike mbetet edhe infrastruktura rrugore. Korsitë e dedikuara për autobusët mbulojnë vetëm 11% të gjatësisë së rrugëve kryesore, duke i detyruar urbanët të lëvizin në trafikun e përgjithshëm. KLSH vlerëson se kjo situatë ndikon në vonesat e transportit publik dhe ul besueshmërinë e shërbimit.
Ndërkohë, vonesa janë konstatuar edhe në projektin e transportit të shpejtë me autobusë elektrikë, BRT, me kosto të vlerësuar rreth 110 milionë euro, i parashikuar për tri korridore kryesore të kryeqytetit.
Sipas auditimit, moszbatimi i aktiviteteve brenda afateve ka sjellë kosto financiare për Bashkinë, e cila ka paguar 47,569.44 euro në vitin 2025 dhe 62,500 euro në vitin 2026, si tarifë zotimi për pjesën e padisbursuar të huasë.
Në total, këto pagesa arrijnë në 110,069.44 euro. Tarifa vjetore është 0.25% e shumës së padisbursuar dhe, sipas KLSH-së, kostot mund të ishin shmangur nëse projekti do të kishte ecur sipas afateve të përcaktuara.
Bashkia i ka argumentuar vonesat me mungesën e kapaciteteve dhe ekspertizës, por KLSH kërkon përshpejtimin e investimeve, zbatimin e biletimit elektronik dhe zgjerimin e korsive të dedikuara, si masa të nevojshme për përmirësimin e shpejtësisë dhe cilësisë së transportit publik në kryeqytet./ Ekofin








