Atlético Madrid, hapa prapa për faljen e Julian Alvarez Lamine Yamal dhe Mikel Oyarzabal nuk do t’i bashkohen këtë të hënë përfaqësueses së Spanjës dhe nuk do të udhëtojnë drejt Pragës për ndeshjen e së enjtes, më 12 nëntor, kundër Republikës Çeke, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Sulmuesi i Barcelonës, Lamine Yamal, ka ndjerë shqetësime në gjurin e djathtë pas një goditjeje të marrë në sfidën e së dielës kundër Atletico Madridit, të fituar nga katalanasit me rezultatin 2-1.
Pas ekzaminimeve mjekësore, është vendosur që futbollisti të qëndrojë në Barcelonë për të vijuar procesin e rikuperimit. Yamal ishte i vetmi lojtar i Barcelonës nga kombëtarja spanjolle që u kthye në qytet pas përballjes me Atleticon, ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve qëndruan në Madrid për t’iu bashkuar grumbullimit të Spanjës.
Nga kampi i Barcelonës përcillet qetësi lidhur me gjendjen e futbollistit. Vendimi për të mos u bashkuar menjëherë me kombëtaren është marrë në dakordësi mes klubit dhe Federatës Spanjolle të Futbollit, ndërsa mjekët e të dyja palëve janë në kontakt të vazhdueshëm për të ndjekur gjendjen e tij.
Ndërkohë, edhe Mikel Oyarzabal nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Republikës Çeke. Sulmuesi i Real Sociedadit ndodhet në fazën përfundimtare të rikuperimit nga një gjendje gripale dhe do të vijojë rikuperimin në San Sebastian. Përveç kësaj, futbollisti është në prag të bëhet baba, çka e bën të pasigurt edhe pjesëmarrjen e tij në sfidën e radhës kundër Anglisë.
Plani i stafit të kombëtares spanjolle është që Lamine Yamal t’i bashkohet grumbullimit në ditët në vijim, me synimin që të jetë i gatshëm për përballjen ndaj Anglisë.
Ndeshja do të zhvillohet të dielën, më 15 nëntor, në stadiumin Metropolitano, duke nisur nga ora 20:45. Pritet që sulmuesi i Barcelonës të rikthehet në grumbullim të premten, por gjithçka do të varet nga ecuria e rikuperimit dhe gjendja e gjurit të tij.
Ndërkohë, mungesa e tij në sfidën ndaj Republikës Çeke është konfirmuar, ndërsa vendimi për ndeshjen me Anglinë do të varet nga gjendja fizike në ditët e ardhshme.
Top Channel