Zgjedhja e ushqimeve të duhura mes vakteve mund të bëjë diferencë edhe për shëndetin e zemrës. Sipas katër dietologëve, disa ushqime të thjeshta, të pasura me kalium, kalcium, magnez dhe antioksidantë, mund të ndihmojnë në mbajtjen e tensionit të gjakut nën kontroll. Sekreti është të zgjidhni ushqime me pak natrium (kripë) dhe me përbërës që mbështesin shëndetin e enëve të gjakut.
1. Gjizë me portokall dhe fistikë
Ky kombinim është një alternativë e shëndetshme dhe e pasur me lëndë ushqyese. Portokalli përmban kalium, i cili ndihmon në balancimin e natriumit në organizëm. Gjiza siguron kalcium, mineral i rëndësishëm për rregullimin e tensionit të gjakut. Fistikët përmbajnë kalium, magnez dhe yndyrna të shëndetshme, që mbështesin shëndetin e enëve të gjakut. Dietologia Lauren Manaker sugjeron përgatitjen e këtij kombinimi duke vendosur gjizën në një tas, duke shtuar feta portokalli dhe pak fistikë të copëtuar. Preferoni gjizë me pak natrium.
2. Akullore natyrale me banane
Bananet janë një burim i mirë i kaliumit dhe magnezit, dy minerale që ndihmojnë në ruajtjen e tensionit normal të gjakut. Një banane përmban afërsisht 451 mg kalium dhe 34 mg magnez. Ajo ofron gjithashtu fibra dhe përbërës bimorë që mbështesin shëndetin e tretjes. Dietologia Regina Windsor sugjeron një ëmbëlsirë të thjeshtë: ngrini bananet, shtojini në blender së bashku me farat chia të njomura dhe përziejini derisa të krijohet një masë kremoze. Për më shumë shije, mund të shtoni pak kakao pa sheqer, kanellë ose një sasi të vogël mjalti.
3. Kokoshka të përgatitura në shtëpi
Kokoshkat mund të jenë një alternativë e mirë për zemrën, nëse përgatiten në mënyrën e duhur. Ato janë drithëra integrale dhe përmbajnë fibra, të cilat ndihmojnë në ngopje dhe mund të kontribuojnë në uljen e kolesterolit. Dietologia Sandra Arévalo rekomandon përgatitjen e kokoshkave në shtëpi, duke përdorur kokrra misri dhe pak vaj ulliri. Shmangni versionet e gatshme me shumë kripë dhe gjalpë. Për më shumë shije, mund të përdorni erëza italiane, kanellë, arrë moskat ose pak djathë parmixhano.
4. Kos grek me fruta pylli dhe arra
Ky është një kombinim i pasur me antioksidantë dhe yndyrna të shëndetshme. Frutat e pyllit përmbajnë antocianina dhe antioksidantë që ndihmojnë në mbrojtjen e enëve të gjakut. Kosi grek siguron minerale të rëndësishme për rregullimin e tensionit. Arrat përmbajnë acide yndyrore Omega-3, të cilat mbështesin shëndetin e zemrës. Dietologia Allison Herries sugjeron kombinimin e kosit grek me boronica, mjedra dhe arra të copëtuara. Për të ndryshuar shijen, mund të shtoni edhe banane me kanellë, pak çokollatë të zezë ose fara susami.