Vendosni fjalën kyçe....

Rama prezanton skemën e re të bonusit të bebeve: Deri në 10 mijë lekë në muaj për pesë vite


Kryeministri Edi Rama ka prezantuar skemën e re të bonusit të bebeve, e cila parashikon mbështetje financiare mujore për familjet shqiptare për një periudhë pesëvjeçare.

Sipas njoftimit të kreut të qeverisë, skema e re pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik 2027 dhe do të zbatohet për çdo fëmijë të lindur.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se masa e përfitimit do të përcaktohet në varësi të numrit të fëmijëve në familje.

Për fëmijën e parë parashikohet një pagesë prej 5 mijë lekësh të rinj në muaj, për të dytin 7 mijë lekë, ndërsa për fëmijën e tretë 10 mijë lekë në muaj.

Sipas skemës së prezantuar, mbështetja financiare do të vijojë për 60 muaj, duke e çuar përfitimin total në 300 mijë lekë për fëmijën e parë, 420 mijë lekë për të dytin dhe 600 mijë lekë për të tretin.

“Bonusi i bebeve, me një mbështetje të re mujore për familjet shqiptare! Nga 1 korriku 2027, për çdo fëmijë të lindur do të jepen për 5 vite: 5,000 lekë/muaj për fëmijën e parë, ose 300 mijë lekë në 5 vite; 7,000 lekë/muaj për fëmijën e dytë, ose 420 mijë lekë në 5 vite; 10,000 lekë/muaj për fëmijën e tretë, ose 600 mijë lekë në 5 vite”, shkruan kryeministri.

Skema e re parashikon kështu një mbështetje të diferencuar financiare, në varësi të radhës së lindjes së fëmijës, me pagesa mujore përgjatë pesë viteve të para.