Federata Europiane e Gazetarëve, ka ngritur alarmin në lidhje me 55 rastet e evidentuara të sulmeve ndaj gazetarëve në Shqipëri gjatë periudhës 13–31 tetor.
Në një reagim publik, organizata shpreh shqetësimin për nivelin e dhunës së regjistruar gjatë protestave, duke theksuar se shumica e rasteve të raportuara u atribuohen efektivëve të Policisë së Shtetit.
Sipas të dhënave të publikuara nga rrjeti, gazetarët janë përballur me dhunë fizike, fyerje verbale, shoqërime në polici dhe pengesa gjatë ushtrimit të detyrës. Po ashtu, janë raportuar raste të sekuestrimit të pajisjeve të punës së mediave.
SafeJournalists thekson se, pavarësisht se autoritetet ishin vënë në dijeni për situatën më 14 tetor, përmes një letre të hapur të nënshkruar nga organizata dhe mbi 30 organizata të tjera, sulmet kanë vijuar me intensitet të lartë.
Në reagim, organizata u bën thirrje autoriteteve shqiptare të marrin masa konkrete për mbrojtjen e gazetarëve dhe të vënë përpara përgjegjësisë personat që kanë kryer sulmet.
“Ndërsa Shqipëria përparon drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, autoritetet duhet të garantojnë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për të pasur akses në informacion transparent dhe të pavarur”, thuhet në reagim.
Organizata nënvizon se gazetarët vijojnë të jenë të ekspozuar ndaj dhunës në terren, ndërsa kërkon që institucionet të garantojnë kushtet për ushtrimin e lirë dhe të sigurt të profesionit të tyre.













