Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadorja Sofia Moreira de Sousa, u prit sot në MEPJ nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Gjatë takimit, ajo i dorëzoi ministrit një kopje të Raportit të Progresit 2026 për Shqipërinë.
Sipas Hoxhës, raporti përbën vlerësimin vjetor më të gjerë, më të hollësishëm dhe më gjithëpërfshirës për ecurinë e Shqipërisë dhe shkallën e përgjithshme të përgatitjes së saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Të lidhura
None found
Pas takimit, ministri shkroi në rrjetin social X se dokumenti duhet shqyrtuar në tërësinë e tij. Ai tha se përparimi thelbësor dhe domethënës tregon që Shqipëria është në drejtimin e duhur dhe se vendi ka aftësinë jo vetëm të marrë përsipër angazhime, por edhe t’i përmbushë ato. Hoxha theksoi njëkohësisht nevojën për t’i njohur me realizëm sfidat e mbetura dhe për t’i trajtuar ato me procese gjithëpërfshirëse, angazhim konstruktiv dhe dialog të mirëfilltë.
Ministri u ndal edhe te udhërrëfyesi i Komisionit drejt vitit 2027, të cilin e cilësoi si një orientim të qartë. Sipas tij, për herë të parë një dokument i BE-së pasqyron synimin e Shqipërisë për t’i përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, duke e vlerësuar atë si ambicioz, por të arritshëm.
Përmbushja e këtij synimi, theksoi Hoxha, kërkon përpjekje të pandërprera, reforma cilësore dhe, mbi të gjitha, zbatim efektiv e të qëndrueshëm.
Ai nënvizoi se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mbetet plotësisht e angazhuar për të forcuar më tej kapacitetet institucionale dhe për të përmbushur rolin e saj në këtë fazë përfundimtare e vendimtare të negociatave.
Hoxha e cilësoi anëtarësimin në Bashkimin Evropian si objektivin dhe projektin më të rëndësishëm kombëtar. Ai shtoi se kjo është një përpjekje që përfshin gjithë shoqërinë, ashtu siç përfitimet e anëtarësimit do t’i takojnë asaj në tërësi, ndaj realizimi i projektit kërkon kontributin e të gjithëve.








