Bashkimi Evropian i ka kërkuar Izraelit të garantojë akses të plotë dhe pa pengesa për ndihmat humanitare në Rripin e Gazës, ndërsa përmbytjet, reshjet e dendura dhe temperaturat e ulëta po përkeqësojnë më tej situatën e rëndë humanitare në këtë territor.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Eva Hrncirova deklaroi gjatë një konference për mediat në Bruksel se kushtet e jetesës për familjet e zhvendosura janë bërë edhe më të vështira, pasi shumë prej tyre jetojnë në tenda të dëmtuara, të cilat po mbushen me ujë nga reshjet.
Ajo theksoi se BE-ja i ka bërë vazhdimisht thirrje qeverisë izraelite, në çdo nivel dhe rast për të lejuar hyrjen e plotë të ndihmave humanitare në Gaza. Sipas saj, jo të gjitha pikat kufitare janë të hapura për kalimin e ndihmave, duke rënduar më tej një situatë tashmë kritike.
Hrncirova paralajmëroi se përmbytjet dhe kushtet e vështira atmosferike gjatë dimrit rrisin rrezikun e përhapjes së sëmundjeve dhe shtimit të dëmtuesve, duke ekspozuar mijëra familje ndaj problemeve të tjera shëndetësore. Ajo bëri të ditur se pjesa më e madhe e popullsisë në Gaza ka nevojë për strehim dhe ndihma bazë, ndërsa rreth 60% e personave në nevojë ndodhen në gjendje kritike.
Zëdhënësja rikujtoi gjithashtu se Bashkimi Evropian ka ndarë afro 700 milionë euro ndihmë humanitare për palestinezët që nga fillimi i krizës në tetor 2023. “Ne kërkojmë akses të shpejtë, të sigurt dhe pa pengesa në Gaza, në mënyrë që të lehtësojmë vuajtjet e njerëzve atje”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, një sistem me presion të ulët atmosferik, i shoqëruar me masa ajri të ftohta dhe reshje të dendura shiu, ka përfshirë Rripin e Gazës, duke përkeqësuar kushtet për mijëra palestinezë të zhvendosur. Shumë familje vijojnë të jetojnë në tenda të amortizuara, pa ngrohje dhe pa mbrojtjen e nevojshme nga shiu dhe i ftohti, ndërsa banesat dhe infrastruktura janë shkatërruar gjerësisht nga lufta.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite në Gaza kanë shkaktuar mbi 74 mijë viktima dhe më shumë se 175 mijë të plagosur. Shkatërrimi i infrastrukturës civile dhe zhvendosja masive e popullsisë kanë bërë që mijëra njerëz të përballen me kushte gjithnjë e më të vështira jetese, veçanërisht me ardhjen e dimrit.






Komente
Komento