Bonusi i ri i bebeve në Shqipëri, mbështetje mujore për 5 vite për çdo fëmijë nga 1 korriku 2027

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka prezantuar një skemë të re mbështetjeje financiare për familjet shqiptare, e cila parashikon pagesa mujore për çdo fëmijë të porsalindur, për një periudhë prej pesë vitesh.
Sipas njoftimit, masa e re pritet të nisë zbatimin më 1 korrik 2027, duke synuar të ofrojë mbështetje ekonomike për prindërit dhe të lehtësojë shpenzimet që shoqërojnë rritjen e fëmijëve.
“Bonusi i bebeve, me një mbështetje të re mujore për familjet shqiptare. Nga 1 korriku 2027, për çdo fëmijë të lindur të jepen për 5 vite: 5,000 lekë/muaj për fëmijën e parë, ose 300 mijë lekë në 5 vite, 7,000 lekë/muaj për fëmijën e dytë, ose 420 mijë lekë në 5 vite, 10,000 lekë/muaj për fëmijën e tretë, ose 600 mijë lekë në 5 vite”, ka shkruar Rama. /Telegrafi/





































