LDK: I papranueshëm largimi i fotografisë së Rugovës e Deklaratës së Pavarësisë nga vendi i nderit në Presidencë

9 Nëntor 2026 | 15:59

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar, ndaj siç thotë ajo, largimit nga vendet e nderit në Presidencë të fotografisë së presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë, nga presidentja Justina Shiroka-Pula.

Vendimin për largimin e tyre, LDK-ja e ka quajtur të papranueshëm.

Përmes një reagimi zyrtar në faqet e tyre në rrjetet social, kjo parti ka shkruar se Presidenca është institucion shtetëror ku nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar ai. 

“Fotografia e Atit Themelues të Republikës së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike e shtetërore. Trajtimi i tyre si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe i papranueshëm”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se ish-presidenti Ibrahim Rugova përfaqëson udhëheqjen historike të përpjekjes së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, ndërkaq Deklarata e Pavarësisë shpreh vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran.

“Nderimi i tyre në institucionin e Presidencës është shprehje e respektit ndaj historisë dhe identitetit shtetëror të Kosovës”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

“LDK-ja ka thënë se largimi i këtyre dy simboleve cenon këtë respekt institucional. Presidenca ka përgjegjësi të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë e tij. Kjo përgjegjësi tejkalon mandatin e secilit president dhe duhet të pasqyrohet edhe në mënyrën se si paraqitet shteti në hapësirat e tij zyrtare, para qytetarëve dhe përfaqësuesve të huaj”, thuhet në njoftim.

LDK-ja ka kërkuar rishikimin e këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë. 

“Një veprim i tillë do të dëshmonte respektin që institucioni i Presidentit duhet të ketë ndaj themeleve të Republikës që përfaqëson”, përfundon komunikata e kësaj partie.

KOHA ka dërguar pyetje në Presidencë lidhur me rastin dhe sapo të marrë përgjigje, teksti do të përditësohet.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shqipëria dhe Kosova bashkojnë eksperiencat në kërkim-shpëtimin me litar

Në një kohë kur emergjencat dhe fatkeqësitë e ndryshme vënë në provë kapacitetet e ndërhyrjes, ekipet e kërkim-shpëtimit po synojnë të rrisin gatishmërinë dhe aftësitë...
15:51 | 09/11/2026

EKSKLUZIVE/ Vrasja e Arlinda Zekajt, raporti i përbashkët dhe gjetjet nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme

Euronews Albania ka zbardhur detaje nga raporti i përbashkët i përpiluar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me...
14:46 | 09/11/2026

FSK merr pjesë në trajnimin ndërkombëtar në Kroaci

Pjesëtarë të Togut për Intervenime nga Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK kanë marrë pjesë në trajnimin ndërkombëtar “Training Based on SOP...
13:40 | 09/11/2026