Bota

Begaj dhe Mattarella presin krerët e komunave arbëreshe: Janë themeli i vëllazërisë shqiptaro-italiane

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, pritën së bashku në Pallatin Quirinale, në Romë, kryetarët e të gjitha komunave arbëreshe në Itali. Takimi u zhvillua në shenjë vlerësimi për komunitetin arbëresh, i cili prej më shumë se pesë shekujsh ruan gjuhën, traditat dhe identitetin shqiptar.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Presidenti Begaj vlerësoi lidhjet historike dhe vëllazërore mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e cilësuar komunitetin arbëresh si një dëshmi të gjallë të kësaj miqësie të veçantë.

“Miqësitë mes shteteve mund të ndërtohen nga interesat e përbashkëta, ndërsa vëllazëria lind nga historia, nga kujtesa, lind nga lidhjet njerëzore. Ju, të dashur arbëreshë, jeni themeli i kësaj vëllazërie”, u shpreh Begaj.

Kreu i Shtetit shqiptar falënderoi homologun italian, Sergio Mattarella, për organizimin e këtij takimi, duke e cilësuar atë një mik të çmuar të Shqipërisë dhe një mbështetës të rëndësishëm të integrimit evropian të vendit.

Begaj theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve shkojnë përtej bashkëpunimit diplomatik, pasi mbështeten në lidhje të thella historike, kulturore dhe njerëzore. Ai e cilësoi Italinë një aleate të besueshme, partnere strategjike dhe një nga mbështetëset më të vendosura të aspiratave evropiane të Shqipërisë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të arbëreshëve dhe komunitetit shqiptar që jeton në Itali. Presidenti vlerësoi modelin e integrimit të tyre në shoqërinë italiane, duke nënvizuar se ruajtja e identitetit kombëtar dhe integrimi në vendin pritës janë procese që plotësojnë dhe pasurojnë njëra-tjetrën.

Sipas Begajt, komuniteti historik arbëresh dhe shqiptarët që prej dekadash jetojnë, studiojnë e punojnë në Itali përfaqësojnë dy breza të ndryshëm historikë, por të bashkuar nga aftësia për të kontribuuar në shoqërinë italiane pa humbur lidhjen me origjinën dhe rrënjët e tyre.

“Në një Evropë që përballet me sfida të shumta, përvoja e arbëreshëve dhe e shqiptarëve të sotëm në Itali përcjell një mesazh me shumë vlerë: integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato mund ta pasurojnë shoqërinë dhe të forcojnë mirëkuptimin mes popujve”, theksoi Presidenti Begaj.

Duke iu referuar marrëdhënieve dypalëshe, ai nënvizoi rëndësinë e aleancës strategjike Shqipëri-Itali, bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe perspektivës së përbashkët evropiane.

Në përfundim, Presidenti Begaj u bëri thirrje kryetarëve të komunave arbëreshe që të vijojnë përpjekjet për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës, traditave, riteve dhe kulturës te brezat e rinj.

“Bëjini të rinjtë të dashurohen me këtë traditë!”, ishte mesazhi i tij.

Takimi në Pallatin Quirinale u përmbyll me shkëmbimin e dekoratave mes dy presidentëve, si shenjë nderimi dhe vlerësimi të ndërsjellë për kontributin në forcimin e vëllazërisë, miqësisë dhe aleancës strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.