Kompanitë që fitojnë kontrata koncesionare dhe partneritete publike-private do të përballojnë edhe kostot e konsulencës së jashtme për studimet e fizibilitetit, me tarifa që mund të arrijnë deri në 1.5% të vlerës së investimit. Qeveria ka miratuar një skemë të veçantë tarifimi. Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat (ATRAKO) merr një rol më të drejtpërdrejtë në përgatitjen e studimeve dhe në mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave.
Rregullat përcaktohen në vendimin nr. 837, datë 5 nëntor 2026, të botuar në Fletoren Zyrtare. Ai zbaton ligjin e ri për koncesionet dhe PPP-të, i miratuar më 12 dhjetor 2025 dhe që hyri në fuqi më 13 tetor të këtij viti. Sipas kuadrit të mëparshëm, ATRAKO kishte kryesisht funksione asistuese dhe këshilluese për autoritetet kontraktuese. Studimet përgatiteshin nga komisionet përkatëse.
Katër kufijtë maksimalë të tarifës
Vendimi parashikon katër nivele tarifash për konsulencën e jashtme. Për projektet deri në 1.5 miliardë lekë, tarifa mund të arrijë 1.5% të investimit. Për ato deri në 20 miliardë lekë, 1%; për investimet deri në 50 miliardë lekë, 0.75%; dhe për projektet mbi këtë vlerë, 0.5%.
Pagesat nuk janë automatike. Vetë vendimi përcakton se përqindjet e parashikuara përbëjnë kufijtë maksimalë të tarifës së shërbimit. Ato nuk krijojnë një të drejtë automatike për pagesë në këtë masë. Shuma përfundimtare duhet të mbështetet në kostot faktike dhe të dokumentuara. Ajo paguhet nga operatori fitues përpara nënshkrimit të kontratës.
Këto pagesa janë të ndara nga tarifat e zakonshme të shërbimeve të agjencisë. Këto të fundit variojnë nga 700 mijë deri në 4.2 milionë lekë, sipas madhësisë së investimit. Katër nivelet e këtyre tarifave mbeten të pandryshuara nga vendimi i vitit 2020.
Studimet dhe shpërblimet për punonjësit
Agjencia do të hartojë studimet e fizibilitetit për projektet e institucioneve qendrore dhe të enteve në varësi të tyre. Për projektet e pushtetit vendor, ky shërbim mund të ofrohet kundrejt një tarife të posaçme. Ligji i ri lejon gjithashtu që autoritetet kontraktuese t'i hartojnë vetë studimet në rastet e parashikuara. Agjencia kryen ekspertizën ose oponencën.
Vendimi parashikon edhe shpërblime për punonjësit që hartojnë studimet e fizibilitetit. Pagesa shkon deri në një pagë mujore bruto për studim dhe jo më shumë se tri studime në vit. Përfitimi varet nga kontributi i dokumentuar dhe fondet e disponueshme.
ATRAKO do të mbikëqyrë veprimtarinë e njësive përgjegjëse për zbatimin e kontratave dhe do të mbajë Regjistrin e Koncesioneve dhe PPP-ve. Për projektet që mund të angazhojnë fonde publike dhe tejkalojnë kufijtë financiarë të përcaktuar nga Ministria e Financave, vlerësimi i nevojës do të kryhet sipas procedurave të menaxhimit të investimeve publike.
Struktura ekzistuese e ATRAKO-s do të vijojë funksionimin deri në ngritjen e plotë të strukturës së re.
