Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se mazhoranca do të vijojë punën për përfundimin e reformës zgjedhore, me ose pa pjesëmarrjen e opozitës në komision.
Balla bëri të ditur se afati për përmbylljen e punës së komisionit është 30 nëntori, ndërsa akuzoi PD-në se po përdor bojkotin për të penguar procesin.
Balla theksoi se mazhoranca i ka dhënë opozitës të drejtën e vetos, pavarësisht se disponon 3/5 e votave në Kuvend. Balla paralajmëroi se, nëse PD nuk rikthehet në komision, PS-ja do të depozitojë propozimet e saj në Kuvend dhe do t’i miratojë me votat që ka në dispozicion.
“Kush e bojkotoi komisionin? E bojkotuan ata! Komisioni nuk ka pse të ndërpritet. Nuk ke pse e lë vendin duke abuzuar me një të drejtë, si ajo e vetos. PD t’i sjellë të gjitha propozimet në komision. Të diskutohen, por bojkoti i komisionit me një të drejtë që ta kemi dhënë ne, është i papranueshëm. PD duhet të kuptojë që edhe ne kemi pasur disa propozime, si rikthimi i numërimit në qendrat e votimit. Nëse PD nuk do të vijë në komision deri më 30 nëntor, të mos habitet kur të çojmë propozimet tona në Kuvend”, deklaroi Balla.