Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur paraditen e së hënës në qytetin e Napolit, në Itali, ku një burrë ka humbur jetën pasi ballkoni në të cilin ndodhej është shembur papritur.
Ngjarja është regjistruar në rrugën Matteo Renato Imbriani, në lagjen Materdei, duke shkaktuar ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimeve të emergjencës.
Sipas raportimeve të mediave italiane, viktima dyshohet se është një punëtor 42-vjeçar, i cili në momentin e aksidentit po kryente punime mirëmbajtjeje në ballkonin e një ndërtese banimi.
Për arsye që ende nuk janë sqaruar, struktura ka humbur qëndrueshmërinë dhe është shembur, duke bërë që 42-vjeçari të rrëzohej nga një lartësi prej disa metrash.
Në vendngjarje mbërritën ekipet mjekësore, por pavarësisht ndërhyrjes së tyre, punëtori nuk arriti të mbijetonte.
Policia dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë për të siguruar zonën, ndërsa kanë nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet që çuan në shembjen e ballkonit.
Hetimet paraprake janë përqendruar te pista e një aksidenti në vendin e punës. Autoritetet po shqyrtojnë gjendjen teknike të ndërtesës, sigurinë e strukturës dhe kushtet në të cilat po realizoheshin punimet e mirëmbajtjes.
Pritet që ekspertizat teknike të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e tragjedisë dhe të përcaktojnë nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë.
