Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas bojkotit të mbledhjes së sotme të Komisionit për Reformën Zgjedhore nga Partia Demokratike, duke deklaruar se mazhoranca do të vijojë punën për përfundimin e reformës, me ose pa opozitën.
Balla u shpreh se afati për përmbylljen e punës së komisionit është 30 nëntori, ndërsa akuzoi PD-në se po përdor bojkotin si një mënyrë për të penguar procesin. Sipas tij, opozita po hedh “shashka” në një situatë që ai e cilësoi si “vdekje politike”.
“Kush e bojkotoi komisionin? E bojkotuan ata! Komisioni nuk ka pse të ndërpritet. Nuk ke pse e lë vendin duke abuzuar me një të drejtë, si ajo e vetos. PD t’i sjellë të gjitha propozimet në komision. Të diskutohen, por bojkoti i komisionit me një të drejtë që ta kemi dhënë ne, është i papranueshëm”, deklaroi Balla.
Ai u shpreh se mazhorancai ka dhënë opozitës të drejtën e vetos, pavarësisht se disponon 3/5 e votave në Kuvend. Balla paralajmëroi se nëse PD nuk rikthehet në komision, PS do të ruajë të drejtën të depozitojë propozimet e saj në Kuvend dhe t’i miratojë me votat që ka në dispozicion.
“Puna është bërë, ekspertët kanë punuar. PD duhet ta ketë shumë të qartë. Koha kur PD kishte të drejtën ekskluzive të bllokimit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore përfundon më 30 nëntor.
Nëse deri më 30 nëntor PD nuk vjen në komision për të punuar për këto çështje dhe propozime të tjera, ne do t’i japim Shqipërisë mundësinë të zhvillojë zgjedhjet e 9 majit me ato ndryshime që kemi parashikuar”, u shpreh ai.













