Ngjarje e rëndë në Napoli, shembet ballkoni i një pallati, humb jetën punëtori që po e riparonte

09/11/2026 14:52

Një ngjarje tragjike është regjistruar paraditen e kësaj të hëne në Napoli të Italisë, ku shembja e strukturës së një ballkoni i ka marrë jetën një personi.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Matteo Renato Imbriani, në zonën Materdei, ku viktima ndodhej mbi ballkon në momentin kur struktura u shemb papritur.

Sipas mediave italiane, personi që humbi jetën dyshohet të ketë qenë një punëtor 42-vjeçar, i cili po kryente punime mirëmbajtjeje në ballkonin e një pallati. Si pasojë e shembjes, ai ka rënë nga disa metra lartësi, ndërsa ndërhyrja e shërbimeve të emergjencës nuk ka mundur t’i shpëtojë jetën.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe zjarrfikësit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e shembjes. Dyshimet paraprake janë se bëhet fjalë për një aksident në punë. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu gjendjen e strukturës dhe kushtet në të cilat po kryheshin punimet.

Top Channel