Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas bojkotit të mbledhjes së sotme të Komisionit për Reformën Zgjedhore nga Partia Demokratike, duke deklaruar se mazhoranca do të vijojë punën për përfundimin e reformës, me ose pa opozitën.
Balla u shpreh se afati për përmbylljen e punës së komisionit është 30 nëntori, ndërsa akuzoi PD-në se po përdor bojkotin si një mënyrë për të penguar procesin. Sipas tij, opozita po hedh “shashka” në një situatë që ai e cilësoi si “vdekje politike”.
“Kush e bojkotoi komisionin? E bojkotuan ata! Komisioni nuk ka pse të ndërpritet. Nuk ke pse e lë vendin duke abuzuar me një të drejtë, si ajo e vetos. PD t’i sjellë të gjitha propozimet në komision. Të diskutohen, por bojkoti i komisionit me një të drejtë që ta kemi dhënë ne, është i papranueshëm”, deklaroi Balla.
Ai u shpreh se mazhorancai ka dhënë opozitës të drejtën e vetos, pavarësisht se disponon 3/5 e votave në Kuvend. Balla paralajmëroi se nëse PD nuk rikthehet në komision, PS do të ruajë të drejtën të depozitojë propozimet e saj në Kuvend dhe t’i miratojë me votat që ka në dispozicion.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së u ndal edhe te disa prej ndryshimeve që mazhoranca synon të përfshijë në reformë, duke përmendur mundësinë që edhe bashkitë e vogla, të cilat u shkrinë gjatë reformës territoriale, të kenë përfaqësuesit e tyre në këshillat bashkiakë, sipas një përpjesëtimi të caktuar.
Balla përmendi gjithashtu si propozim rikthimin e numërimit të votave në qendrat e votimit, duke argumentuar se kjo do të shkurtonte ndjeshëm kohën e nxjerrjes së rezultatit. Ai foli edhe për një formulë të vitit 2020, që lidhet me depolitizimin e komisioneve zgjedhore.
Në fund, Balla shprehu kundërshtimin e tij për hapjen e listave për anëtarët e këshillave bashkiakë, duke sqaruar se fliste në cilësinë e deputetit dhe politikanit.
“Flas si deputet dhe politikan me shumë vite mbi supe. Sa i përket hapjes së listave për anëtarët e këshillave bashkiakë, unë jam kundër”, përfundoi Balla.
