Prapaskenat ekskluzive: Kosova apo Shqipëria? Kush po e fiton garën për talentin e madh Samuel Krasniqi?

Edhe një talent i madh së shpejti do ta jep fjalën përfundimtare se kë të përfaqësojë në nivelin ndërkombëtar. Bëhet fjalë për sulmuesin e krahut, që luan te Grasshoppersi, Samuel Krasniqi.
Krasniqi, vetëm 21-vjeç, është aktualisht ndër lojtarët më të dalluar në Superligën e Zvicrës, ku ka zhvilluar 13 paraqitje, për të kontribuar me dy gola e tri asistime në proces.
Ai luan si mesfushor i majtë, por shpesh përdoret edhe si qendërmesfushor apo mesfushor me tipare ofansive (pra, si numër 10).

Megjithatë, si çdo futbollist tjetër shqiptar edhe Krasniqi brenda një periudhë të shkurtër do të jetë pranë vendimit të karrierës, thënë ndryshe kë të përfaqësojë në nivelin ndërkombëtar.
Si është situata aktuale?
21-vjeçari ka përfaqësuar deri më tani Zvicrën në grupmoshat e reja, pra U18, U19 dhe U21, megjithatë cilado ftesë që vjen, duhet të jetë nga tani e tutje vetëm prej ekipit A (shkaku i moshës).
Në këtë muaj, Krasniqi nuk ishte as në listën rezervë të Zvicrës, por ka të drejtë të përfaqësojë dikë tjetër, pra Kosovën ose Shqipërinë.
Burimet e Telegrafit thonë se Samuel Krasniqi aktualisht është kontaktuar vetëm nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), të cilët ia kanë bërë të qartë se e duan sa më parë në ekipin A.
Faktikisht, drejtuesit e FSHF-së bashkë me përzgjedhësin Ronaldo Maran ishin të pranishëm në ndeshjen Grasshoppers – Vaduz, ku u takuan me lojtarin, si dhe e vëzhguan edhe yllin nga Presheva, Lutfi Dalipi.

Ka pasur shumë raportime se Krasniqi tashmë ka zgjedhur Shqipërinë, duke pretenduar se i ka “dhënë fjalën Armand Dukës”, mirëpo Telegrafi mëson një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe vendimi final do të merret brenda pak kohe.
Sidoqoftë, Shqipëria ka përparësinë e madhe falë ish-kapitenit Amir Abrashi, i cili ka një raport të shkëlqyer me Krasniqin. Burimet e njëjta shtojnë se Abrashi po e këshillon lojtarin që të veshë sa më parë fanellën “Kuq e Zi”.
Ndërkohë, raporti me Kosovën është komplet tjetër. Burimet thonë se lojtari ende nuk është kontaktuar nga përzgjedhësi Franco Foda, apo ndokush i lartë i FFK-së.
Pra, Kosova po qëndron më e qetë në këtë diskutim, ngase prioritet e ka bërë afrimin e dyshes Dalipi dhe Arijon Ibrahimovic, futbollistë që mund të aktivizohen gjithashtu në repartin që luan edhe Krasniqi.

Mbetet të shihet nëse situata do të ndryshojë para kualifikimeve për Kampionatin Evropian, që fillojnë në muajin mars.
Shpërthimi te Grasshoppersi, ndër lojtarët më të dalluar këtë sezon
Samuel Krasniqi padiskutim po e kalon formën më të mirë individuale këtë sezon. Anësori këtë sezon ka luajtur nëntë ndeshjes si sulmues i krahut të majtë, për të realizuar dy gola të bukur dhe asistuar dy herë.
Përpos kësaj, ai ka luajtur edhe si mesfushor i majtë, ku ka zhvilluar tri paraqitje, si dhe dhuroi një asistim. Ndërsa, një ndeshje e ka luajtur si qendërsulmues.

Ai vlerësohet lartë tek klubi zviceran për kontributin e madh që e jep në repartin ofansiv, aty ku pika më e fortë vlerësohet presioni tek mbrojtësit dhe aftësia për të lexuar lojën dhe dhuruar pasimet në kohën e duhur.
Krasniqi gjithashtu në “Transfermarkt” ka një vlerë prej 1.8 milionë eurove, kartoni i të cilit mund të rritet brenda një periudhe të shkurtër dhe nuk do të ishte befasi ndonjë transferim tek ndonjë klub më i madh në verën e ardhshme./Telegrafi/










































