Policia e Tiranës ka vendosur masa administrative për 21 persona që morën pjesë në tubimin e zhvilluar ditën e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sipas Policisë, ata kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të efektivëve për lirimin e saj.
“Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 21 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për shtetas që kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit. Për secilin prej këtyre shtetasve është vendosur masa administrative gjobë në vlerën 5 000 lekë”, njofton policia.