Punë e shtetit - praktikë pa afat, pagë pa vonesë

Sa herë e keni dëgjuar fjalinë: “Nuk është fort i kfillt, po duhet me sistemu dikund në punë të shtetit?”
Ja, këtu fillon kalbja.
Puna e shtetit, për një pjesë jo të vogël të njerëzve, është bërë jo destinacion, por strehimore. Strehimore për ata që nuk ia dolën askund tjetër. Nuk ka rëndësi a di, a mundet, a është i përgatitur. Rëndësi ka vetëm kush ia hap derën. Pastaj “mëson me praktikë.” Dhe, kështu, vit pas viti, kemi ndërtuar një administratë ku dija nuk është kusht, por pengesë. Ku konkursi është formalitet, e lidhjet janë kriter. Ku merita është e tepërt, e servilizmi është monedhë e fortë.
Këta njerëz nuk kanë mbetur vetëm në zyrat e administratës. I gjen në polici, në prokurori, në gjykata, në ministri, në ndërmarrje publike e deri në pozitat më të larta të shtetit. Njerëz që në një treg normal pune do të duhej të konkurronin me aftësi, këtu kanë ndërtuar karrierë me njohje, parti dhe përkulje. E pastaj çuditemi pse institucionet nuk funksionojnë.
Sa prej jush keni hyrë në një institucion publik për të kryer një punë dhe jeni trajtuar si shqetësim? Si njeri që i ka prishur rehatinë dikujt që merr rrogë nga taksat e tua? Një dokument, një përgjigje, një shërbim që e ke paguar paraprakisht me djersën tënde, e në vend të shërbimit merr fytyrë të ngrysur, “hajde nesër” dhe një sorollatje nga zyra në zyrë. Sot një kërkesë, nesër tjetër. Njëri të kërkon dokument, tjetri thotë se nuk duhet, i treti as nuk e di për çka bëhet fjalë. Ti humb ditë pune, humb nerva, humb dinjitet. Ata vazhdojnë ditën e tyre të qetë. Sepse, paga e tyre nuk varet nga fakti nëse ti e ke kryer punën apo jo. Paga e tyre varet vetëm nga fakti që dikush i ka vendosur aty.
Disa e kanë ngatërruar vendin e punës me vendin ku kalojnë ditën. Korridoret janë plot, kafetë afër institucioneve edhe më shumë, ndërsa qytetari pret. Dhe, kur më në fund arrin te sporteli, duhet të ketë kujdes edhe si flet, sepse mund të trajtohet si lypës, jo si qytetar që paguan për shërbimin që kërkon.
Kjo nuk është sëmundje e një institucioni. Është epidemi. E gjen në administratat komunale e qendrore, në shëndetësi, në drejtësi, në polici, kudo ku shteti duhet të jetë në shërbim të qytetarit. Ka edhe njerëz të ndershëm dhe të zotë aty brenda. Por, qytetari nuk duhet të kërkojë punonjës të mirë si të kërkonte gjilpërë në kashtë. Shërbimi korrekt duhet të jetë rregull, jo fat i mirë.
Një pjesë e thellë e problemit lidhet me mënyrën se si e kemi trajtuar dijen. Kemi arritur në një pikë ku mungesa e leximit nuk na shqetëson, mungesa e kulturës së përgjithshme nuk na pengon, e paaftësia për të artikuluar një mendim të qartë nuk e ndalon askënd të japë “mend” për gjithçka. Thashethemet dhe jeta private e të tjerëve janë bërë interes publik. Leximi dhe formimi intelektual janë lënë për një pakicë që ende e konsideron dijen vlerë. Dhe, kjo pakicë, jo rastësisht, është ajo që shpesh largohet nga institucionet. Sepse, në këtë sistem, profesionisti që kërkon standarde është i rrezikshëm. Ai që e njeh ligjin mund të kundërshtojë. Ai që e njeh profesionin mund të kërkojë llogari. Ndërsa, ai që nuk di shumë, por e di kush e ka punësuar, e di edhe deri ku mund të shkojë pa u prekur.
Kështu kemi arritur t’u besojmë njerëzve përgjegjësi që nuk kanë kapacitet t’i ushtrojnë. Një polic që nuk e kupton seriozitetin e detyrës. Një zyrtar që e trajton qytetarin si bezdi. Një prokuror që nuk e trajton me urgjencën e duhur një rast. Një gjyqtar që nuk e ndjen peshën e vendimit të tij. Këto nuk janë mangësi profesionale. Janë dështime që shkatërrojnë jetë.
Rasti i Arlinda Zekajt duhet të na bëjë të heshtim për një moment dhe të pyesim: çfarë ndodh kur institucionet nuk e marrin seriozisht përgjegjësinë që kanë? Sa herë duhet të përballemi me pasoja tragjike për të kuptuar se një pozitë publike nuk është vend ku dikush vjen të mësojë se si bëhet puna?
Ndërkohë, në politikë e kemi normalizuar edhe më keq. Njerëz pa argument, pa kulturë komunikimi dhe pa përmbajtje flasin me vetëbesim të jashtëzakonshëm, vetëm sepse mbajnë një pozitë. Gjuha e rrugës është bërë gjuhë institucionale. Mungesa e dijes nuk është më pengesë për të përfaqësuar qytetarët.
Asgjë nga kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Kemi parti që i kanë trajtuar institucionet si zyra punësimi për militantët. Kemi drejtues që kanë preferuar njerëz të bindur para njerëzve të zotë. Dhe, kemi një shoqëri që shumë herë ka pyetur “a e sistemove djalin?” në vend se “a e meriton ai vend?”
Pastaj kemi guximin të ankohemi pse shteti nuk funksionon.
Nuk mund të kërkojmë institucione profesionale duke i mbushur me njerëz joprofesionalë. Nuk mund të kërkojmë përgjegjësi nga ata që kurrë nuk janë vlerësuar për përgjegjësinë që duhet të mbajnë.
Shteti nuk është strehimore për të papërgatiturit. Nuk është pension i hershëm për ata që nuk arritën të ndërtojnë karrierë diku tjetër. Është institucioni që duhet të mbrojë dhe t’u shërbejë qytetarëve.
Dhe, ndoshta, para se të pyesim edhe një herë pse nuk kemi shtet funksional, duhet të kemi guximin të pyesim: sa prej nesh kanë kontribuar që institucionet të shndërrohen në vendin ku mund të punësohet kushdo ... përveç atij që e meriton?




































