Vasili: Brenda nëntorit vendimmarrja për racionalizimin e kanaleve të RTSH-së, synojmë rritjen e konkurrueshmërisë në tregun e reklamave
Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Eni Vasili, ka bërë të ditur se brenda muajit nëntor pritet të merret një vendim për racionalizimin e portofolit të kanaleve të RTSH-së. Gjatë fjalës së saj në Komisionin për Nismat Qytetare, në kuadër të seancës dëgjimore për “Buxhetin 2027”, Vasili theksoi se ky proces përbën një nga prioritetet e institucionit dhe lidhet edhe me kërkesat e Bashkimit Europian të Transmetuesve (EBU) dhe të komisionit, në kuadër të rezolutës së miratuar.
“Brenda muajit nëntor dalim me një vendimmarrje sa i takon racionalizimit të portofolit të kanaleve të RTSH-së, që është një kërkesë e EBU-së dhe e këtij komisioni, si pjesë e rezolutës së kaluar. Ky është fokusi ynë”, deklaroi Vasili.
Duke folur për tregun e reklamave, drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së pranoi se institucioni ka ende shumë punë për të bërë për të rritur praninë dhe konkurrueshmërinë në këtë sektor.
Sipas saj, hyrja në një treg reklamash të saturuar, ku televizionet private zotërojnë një pjesë të konsiderueshme të tij, kërkon një programacion cilësor dhe të fortë, i cili nga ana tjetër ka nevojë për mbështetje financiare.
“Sa i takon reklamave, kemi shumë punë për të bërë. Që të arrish të shkosh në një treg të saturuar të reklamave, ku televizionet private kanë më tepër se 60% të tyre, ti duhet të hysh me një programacion shumë të fortë dhe që të kesh programacion shumë të fortë duhet të kesh mundësi financimi të atij programacioni. Ndaj jemi këtu të kërkojmë mundësi financimi që të kemi mundësi t’i qasemi më mirë tregut të reklamave”, u shpreh ajo.
Një tjetër çështje e ngritur nga Vasili ishte edhe mungesa e një sistemi të pranuar të matjes së audiencës në Shqipëri. Ajo bëri të ditur se Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) po punon për ngritjen e këtij mekanizmi, ndërsa RTSH është bërë pjesë e organizmit që synon realizimin e matjes së audiencës.
“Sot nuk ka një matës audience të pranuar në Shqipëri. AMA po punon për ta ngritur dhe si kërkesë e kapitujve të integrimit. Ne jemi bërë pjesë e atij organizmi që po ngrihet për matjen e audiencës dhe shpresojmë të realizohet ky proces sa më shpejt”, përfundoi Eni Vasili.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



