Franca nuk ka gjetur ende qetësi nga protestat e të rinjve dhe studentëve. 360 persona u arrestuan nga policia gjatë tubimeve të fundjavës sipas Deutsche Velle. 

Por përtej panoramës së protestave dhe arsyeve se përse mijëra francezë po përplasen mëe autoritetet, pas tyre është zbuluar një tentativë e huaj për ti përdorur ato. 

Reuters raporton se një rrjet i fshehtë rus u përpoq të shfrytëzonte trazirat e muajit të kaluar në Francë, duke përdorur rrjetet sociale për të fajësuar imigracionin e pakontrolluar për trazirat dhe për ta paraqitur qeverinë si një autoritet që kishte humbur kontrollin e situatës. Media amerikane citon një vlerësim të brendshëm të BE, të siguruar nga Reuters. 

Një tjetër vlerësim i brendshëm, i hartuar nga Ministria e Jashtme e Francës dhe gjithashtu i siguruar nga Reuters, zbuloi se llogari në rrjetet sociale të lidhura me Izraelin dhe lëvizjen MAGA në SHBA promovuan gjithashtu “narrativa armiqësore” lidhur me trazirat, duke i lidhur ato me islamizmin radikal dhe emigracionin.

Të marra së bashku, këto vlerësime ofrojnë një pasqyrë se si aktorë të jashtëm janë përpjekur të shfrytëzojnë trazirat e brendshme në Francë për qëllimet e tyre politike, sipas analizës së specialistëve evropianë të dezinformimit.

Analiza e Bashkimit Evropian zbuloi se një rrjet i fshehtë rus, i njohur si “Operation Overload”, shpërndau video që imitonin mediat perëndimore, me synimin për të ndikuar te publiku francez. Në disa prej tyre pretendohej në mënyrë të rreme se emigrantët kishin përdhunuar protestues ose se sulme terroriste ishin të pashmangshme.

Trazirat shpërthyen në qytete të ndryshme të Francës në Tetor, duke shkaktuar një nga valët më të rënda të dhunës që vendi ka përjetuar në dekadat e fundit.

Analiza e BE-së, për periudhën 7 deri më 21 tetor, zbuloi se Rusia synonte të “paraqiste udhëheqjen franceze si të dobët dhe gjithnjë e më autoritare”.

Sipas reuters, vlerësimi i Ministrisë së Jashtme franceze zbuloi se 10 postimet më të shikuara në platformën X lidhur me trazirat, të publikuara nga llogari të “qarqeve pro-ruse”, morën 2.8 milionë shikime gjatë periudhës 16–18 tetor.

Megjithatë, këto shifra ishin shumë më të ulëta krahasuar me shikimet e postimeve në X për trazirat, të publikuara nga llogari të lidhura me lëvizjen MAGA dhe me zyrtarë e influencues izraelitë.

10 postimet më të shikuara për trazirat në Francë, të publikuara nga zyrtarë, media dhe influencues të lidhur me lëvizjen MAGA, morën më shumë se 49 milionë shikime gjatë periudhës 16–18 tetor, ndërsa 10 postimet më të shikuara nga zyrtarë izraelitë, llogari qeveritare, media dhe influencues morën më shumë se 35 milionë shikime gjatë së njëjtës periudhë, thuhet në raportin francez.

Eskpertë të cituar nga reuters thonë se fushata të tilla zhvillojnë një “konkurrencë narrativash” graduale dhe afatgjatë, e cila, me kalimin e kohës, mund të ndikojë në mënyrën se si demokracitë perëndimore perceptohen në Evropë dhe më gjerë.