Blendi Himçi akuzon qeverinë se planifikon miliarda lekë për infrastrukturën pa treguar se kur do të përfundojnë rrugët dhe çfarë do të përfitojnë qytetarët. Deputeti i PD-së kërkon të bëhen publike kostot e koncesioneve rrugore, për të cilat në vitin 2027 parashikohen 5.2 miliardë lekë. Vetëm për Rrugën e Arbrit parashikohen 3.36 miliardë lekë.
“Sa është kostoja përfundimtare e secilës kontratë? Sa janë paguar deri më sot dhe sa mbeten ende për t'u paguar? Cilat janë detyrimet financiare që do të rëndojnë mbi buxhetet e viteve të ardhshme? A janë këto pagesa në përputhje me cilësinë e shërbimit dhe detyrimet kontraktore?.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë jo vetëm sa kushtojnë këto rrugë, por edhe çfarë përfitojnë konkretisht nga miliardat që paguhen me taksat e tyre”, tha Himçi.
Edhe për zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës dhe të aksit Elbasan–Qafë Thanë, Himçi i kërkon qeverisë të tregojë sa do të kushtojë e gjithë vepra dhe kur do të përfundojë.
“Nuk mjafton që çdo vit të financohen faza të reja të të njëjtit projekt. Qytetarët duhet të dinë se kur do të përfundojë e gjithë vepra dhe sa do të kushtojë përfundimisht”, vijon ai.
Himçi e quan populiste paketën fiskale. Sipas tij, qeveria propozon të heqë taksën e qarkullimit prej 27 lekësh për litër karburant, por njëkohësisht të rrisë taksën vjetore për makinat me benzinë e naftë dhe TVSH-në standarde nga 20 në 21 për qind. Ai kundërshton edhe taksën e propozuar prej 15 mijë lekësh në vit për makinat elektrike.
“Këto ndryshime nuk mund të analizohen të shkëputura nga njëra-tjetra. Në tërësi, kemi të bëjmë me politika fiskale populiste, të cilat rrezikojnë të mos sjellin asnjë përfitim real për qytetarët: me njërën dorë u jepet një lehtësim, ndërsa me tjetrën u merren përmes taksave të tjera edhe më shumë.
Qeveria duhet t'u tregojë qytetarëve se sa do të kursejnë nga heqja e taksës së karburantit dhe sa do të paguajnë më shumë nga ndryshimet e tjera fiskale”, thekson Himçi.












Komente
Komento