Tenderi, 7.7 mln euro për rikthimin në punë të puseve të Laknasit dhe furnizimin te Univers City
Dy puse jashtë funksionit në Laknas do të rikthehen në shfrytëzim për të furnizuar me ujë zonën rezidenciale Univers City dhe një pjesë të banorëve të Kamzës, në kuadër të një investimi me fond limit 703.3 milionë lekë. Ujësjellës-Kanalizime Kamëz ka hapur tenderin që përfshin rikonstruksionin e puseve, ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe projektin e kolektorit të ujërave të zeza në grykën e Kaçanikut dhe rrugën Kallmet.
Investimi në ujësjellës është projektuar për t’i shërbyer një popullsie prej rreth 9,400 banorësh, pjesa më e madhe e të cilëve në zonën Univers City, një territor në zhvillim ku vijojnë ndërtimet e reja rezidenciale. Kapacitetet janë llogaritur për një periudhë 25-vjeçare, deri në vitin 2051.
Sipas raportit teknik, dy puset ekzistuese AD01 dhe AD02 në Laknas kanë dalë jashtë përdorimit dhe do t’i nënshtrohen rikonstruksionit të plotë. Pas ndërhyrjes, ato parashikohet të sigurojnë një prurje të përbashkët deri në 35 litra ujë në sekondë.
Për të mundësuar furnizimin, projekti përfshin ndërtimin e një depoje grumbulluese me kapacitet 1,000 metra kub, një depoje kullë prej 200 metrash kub dhe një stacioni të ri pompimi.
“Zona Univers City, me prurje llogaritëse Q = 32.4 L/s, do të furnizohet nga Depo Grumbulluese V = 1000 m³ nëpërmjet stacionit të pompimit, për shkak të disnivelit të kuotave”, thuhet në dokumentacion.
Uji do të transportohet nëpërmjet një tubacioni të ri me gjatësi rreth 2.6 kilometra, që lidh Laknasin me zonën rezidenciale. Projekti parashikon edhe një sistem rezervë furnizimi për rastet e avarive.
Përtej zhvillimit të ri rezidencial, ndërhyrjet përfshijnë edhe lagjen ndërmjet rrugëve Kozare dhe Nënë Tereza në Laknas, ku jetojnë rreth 667 banorë.
Në këtë zonë, sipas raportit, “Ujësjellës Kanalizime Kamëz nuk ka rrjet të identifikuar ujësjellësi përveç furnizimit me ujë të Shkollës dhe Kopshtit të Laknasit”.
Ndërtimi i rrjetit shpërndarës do të përfshijë banesat, bizneset dhe institucionet arsimore të zonës, ku ndodhen një shkollë me 120 nxënës dhe një kopsht me 75 fëmijë.
Linja e re drejt Univers City do të kalojë përgjatë rrugëve Kozare, Lunxhëri, Coca-Cola, Kallmet dhe Demir Nazeri. Dokumentacioni parashikon ruajtjen në funksion të rrjeteve ekzistuese përgjatë itinerarit.
Projekti përfshin gjithashtu klorinimin e ujit, monitorimin elektronik të puseve dhe integrimin e sistemit të ri me infrastrukturën ekzistuese të kontrollit të ujësjellësit.


Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









